Extra Intervista që fundosi Dianën, Princi William mirëpret hetimet ndaj BBC

Intervista që fundosi Dianën, Princi William mirëpret hetimet ndaj BBC

Ndërhyrje e rrallë e princit William në mbrojtje të kujtimit të nënës së tij, princeshës Diana. Duka i Kembrixhit u shpreh në favor të nisjes së hetimeve ndaj rrjetit britanik BBC, që akuzohet se mashtroi Diana-n për ta detyruar të jepte intervistën e famshme të vitit 1995, që çoi në divorcin me princin Charles.

“Hetimi i pavarur është një hap në drejtimin e duhur. Ai duhet të ndihmojë në gjetjen e së vërtetës lidhur me intervistën”, tha princi William.

Burime të afërta me princin thanë për median britanike se ai e konsideron çështjen si tejet personale, ku është në lojë trashëgimia morale e nënës së tij. Sipas tyre, William ka qenë në kontakt të ngushtë me BBC për ta bindur që të pranonte hetimin. Në rrëfimin e famshëm me zemër të hapur për gazetarin Martin Bashir, i ndjekur nga më shumë se 20 milionë shikues, ajo tronditi vendin kur pranoi lidhje jashtëmartesore dhe dha detaje intime të martesës së dështuar me princin Charles.

“Ishim tre në atë martesë”, pati thënë ajo, duke iu referuar lidhjes së bashkëshortit me Camilla Parker-Bowles. Si rrjedhojë, Mbretëresha urdhëroi që çifti të divorcohej, menjëherë. Megjithatë, ajo që u zbulua më vonë, ishte se gazetari Bashir bindi Diana-n të jepte intervistën përmes një sërë gënjeshtrash që ushqyen paranojën e princeshës.

Ai tha se stafi i saj e spiunonte në favor të gazetave dhe shërbimeve sekrete, se një komplot ishte urdhëruar nga truprojat e Charles dhe se ky i fundit ishte në një lidhje me dadon e tyre. Gazetari arriti deri aty sa të falsifikonte dokumentet bankare, për të vërtetuar pretendimet e tij. Drejtori i BBC, Tim Davie, tha se rrjeti ishte i vendosur të hidhte dritë mbi pretendimet.