Një gjykatë në Prishtinë, dënoi të martën me 20 vjet heqje lirie një ish-pjesëtar të forcave policore serbe, nën akuzat për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare në pranverën e vitit 1999.
Goran Stanishiç, u shpall fajtor për përfshirjen në vrasjen e 13 civilëve në fshatin Sllovi të komunës së Lipjanit, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.
Sipas aktakuzës, tashmë i dënuari Goran Stanishiç, “si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në muajin prill të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Sllovi dhe Tërbovcë të komunës së Lipjanit, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme”.
Ai ishte arrestuar në korrik të vitit 2019 në Jarinjë, vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri, ndërsa akuza ndaj tij u ngrit në shkurt të vitit 2020.
Mbi dhjetë mijë veta u vranë gjatë luftës në Kosovë, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. Edhe më tej, nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave që llogariten të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.