Lëkundjet e tërmetit të ditës së shtunë shkaktuan dhe polemika për shkallën e vlerësimit në Rihter apo në ballë.
Në media u qarkullua lajmi se lëkundjet sizmike ishin 5,8 të shkallës Rihter dhe 7 ballë. Këtij konfuzioni inxhinieri dhe ish-politikani Bashkim Kopliku i ka bërë një sqarim, duke folur mbi dallimin e dy njësive të matshme. Sipas tij, magnituda është një madhësi që përcakton tërmetin në qendrën e tij, ndërsa balla është forca e lëkundjes.
“Tërmeti përshkruhet shkurt me dy madhësi, magnituda dhe intensiteti. Kur thuhet 5,8, bëhet fjalë për magnitudën në shkallë Rihter (Richter), apo nga një herë, edhe me momentin (Më). Kur thuhet 6 apo 7 (nga një herë VI apo VII, me shifra romake), bëhet fjalë për intensitetin, në ballë, apo gradë, apo pikë. Magnituda është një madhësi që përcakton tërmetin në qendrën e tij, pavarësisht se llogaritet mbi bazën e matjeve nga shumë larg Qendrës (nga disa stacionet e vrojtimit, që kanë pajisje me sizmografë etj., duke marrë parasysh edhe distancën etj.). Pra, tërmeti dje ishte “5, 8 gradë të shkallës Rihter”. Po bëj një analogji, me një llambë ndriçimi, që e kemi më të njohur: themi rëndom se llamba është p.sh. 33 W (vat) , apo më mirë, 1450 lumen. Natyrisht, magnituda e tërmetit 5, 8 gradë të shkallës Richter, apo llamba që është 33Ë/1450 lumen, është njësoj, si për njerëzit në Durrës, si për ata në Shkodër, e si për ata në Mynih: kemi të bëjmë me veti të tërmetit, apo të llambës, dhe jo të efekteve të tij, apo të asaj, në një vend të caktuar”, shkruan Kopliku në Facebook.
Sipas tij, intensiteti përcakton efektin e tërmetit në një vend të caktuar: 6 apo 7 ballë, ishte intensiteti, pra efekti në Durrës i atij tërmetit me magnitudë 5,8 të shkallës Richter, që ishte 1 km, apo 30 km larg. Njësoj si të thuash që ndriçimi ishte 30 lux në librin që po lexoja me ndriçim që më vinte nga një llambë 33 vat, apo 1450 lumen, të vendosur disa metra larg. “Pra, që të sqarohemi përfundimisht: ai tërmeti me magnitudë 5,8 të shkallës Richter., ishte me i intensitet 6 apo 7 ballë në Durrës, por me 2 ballë në Shkodër, e me 0 ballë në Mynih”, thekson Kopliku.