Nga Aurenc Bebja*, Francë
“L’Echo de Paris” ka botuar, të martën e 1 gushtit 1911, në faqen n°3, intervistën e Ismail Qemalit në lidhje me kërkesat e malësorëve shqiptarë ndaj qeverisë osmane, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Intervistë e Ismail bej Qemalit
(Shërbimi special i L’Echo de Paris)
Vjenë, 31 korrik.
Zeit-i publikon sot një intervistë të deputetit shqiptar Ismail bej Qemalit, aktualisht në Vjenë. Udhëheqësi shqiptar bëri këto deklarata:
“Malësorët janë të vendosur që të respektohen kërkesat e tyre: ata kanë humbur të gjithë besimin në qeverinë osmane.
Çdo gjë që kanë, shtëpi dhe bagëti janë sakrifikuar, por ata do të vazhdojnë të mbrojnë çështjen (të drejtat) e tyre deri në vdekje.
Kombet mbajnë përgjegjësinë e tyre morale për situatën e tanishme, meqë fuqitë nuk e kanë parë të arsyeshme të marrin në konsideratë nëse pretendimet shqiptare janë të arsyeshme, të drejta dhe në pajtim me Kushtetutën.
Ato (Fuqitë) nuk e kanë pyetur Turqinë pse, nëse është me të vërtetë një vend kushtetues, ajo nuk i pranon këto kërkesa.
Nëse situata e tanishme vazhdon, qëndrimi brutal i Turqisë dhe indiferenca e fuqive do të çojnë në shkatërrimin e këtyre popullsive të guximshme dhe të pafat.” – (Daily Telegraph)
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania