Giuseppe Conte është dorëhequr nga posti i kryeministrit të Italisë. Gjatë seancës në Senatin italian, Conte njoftoi se do i paraqesë sot dorëheqjen Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella. “Tani do të jetë presidenti që do të vendosë në këtë moment delikat për vendin”, tha Conte.
Vendimi i Conte-s për t’u dorëhequr vjen pas përplasjeve në koalicion midis Ligës së Veriut dhe Lëvizjes 5 Yjet. Pak ditë më parë, Matteo Salvini kërkoi një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, me shpresën se ai do të bëhej kryeministër, por kërkesa nuk iu pranua.
Dorëheqja e Contes nuk do të thotë se vendi duhet të shkojë me patjetër në zgjedhje të parakohshme, pasi koalicione të reja mund të formohen.
Mediat italiane thonë se Lëvizja 5 yjet ka nisur negociatat me Partinë Demokratike për të krijuar një Qeveri të re, që do të nxirrte jashtë Qeverisë Ligën e Salvinit.