Një i ri shqiptar humbi tragjikisht jetën në një aksident të ndodhur të dielën. Ngjarja e rëndë ndodhi në Aretino të Italisë dhe viktima është Shpëtim Halili, 35 vjeç. Ai banonte në Capolona, ishte i martuar dhe baba i një djali 1 vjeç e gjysmë.
I riu shqiptar jetonte në Itali prej shumë vitesh. 35-vjeçari punonte prej 20 vitesh si picier në një restorant në qendër të Arezzo-s.
Deri më tani nuk janë qartësuar plotësisht rrethanat e aksidentit të të riut. Ajo që dihet është se Halili po udhëtonte me një skuter në rrugën rajonale 71 nga Arezzo drejt Capolonas. Aksidenti tragjik për 35-vjeçarin ndodhi në Sitorni.
Policia lokale sekuestroi skuterin që përdorte shqiptari, por edhe një makinë “Fiat 500 L” që drejtohej nga një italian 60-vjeçar.
Ende nuk është e qartë nëse motori u rrëzua dhe pastaj u përplas me mjetin, apo të dy mjetet janë përfshirë në një përplasje të drejtpërdrejtë.
E gjithë ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, teksa Halili po kthehej pas pune për në shtëpi. Sipas mediave italiane edhe pse ambulanca mbërriti shpejt, i riu nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të marra.