Extra Italia çon në UNESCO kafen ekspres

Italia çon në UNESCO kafen ekspres

Italia do të çojë në UNESCO kafen ekspres. Pas picave napolitane, kafeja ekspres pret që të njihet nga agjencia së OKB-së si trashëgimi.

“Është një ritual autentik dhe një shprehje e socialitetit tonë që na dallon në mbarë botën”, tha Gian Marco Centinaio, nënsekretari i bujqësisë, duke konfirmuar se aplikimi ishte dorëzuar.

Kafeja ekspres u bë shpejt një pjesë integrale e identitetit kombëtar pasi u shfaq për herë të parë në Torino në fund të shekullit XIX.

Konsumimi i një kafeje ekspres krijon një rast për takim, për të diskutuar mbi politikën dhe futbollin, për t’u ankuar, për të bërë paqe me dikë ose për të paguar një borxh.

Sipas Institutit Italian Espresso, i themeluar në vitin 1998 me qëllimin specifik për të mbrojtur dhe promovuar ekspresin origjinal, tregu vlen më shumë se 4 miliardë euro (3.3 miliardë £) në vit. Më shumë se 90% e italianëve pinë të paktën një filxhan në ditë.

Rregulloret strikte të institutit për ekspresin perfekt përfshijnë përdorimin e një përzierjeje të certifikuar kafeje, pajisje të certifikuara dhe madje edhe personel të licencuar.

Tradita e ekspresit italian kërkon që shkuma e lehtë që qëndron në sipërfaqe të pijes “duhet të jetë uniforme dhe e qëndrueshme për të paktën 120 sekonda nga koha kur kafeja është bërë dhe nuk është përzier ende”. Ngjyra e ekspresit ideal duhet të jetë “kafe-lajthi në kafe të errët dhe karakterizohet nga reflekse të errëta“.

Centinaio thotë se kandidatura e ekspresit është një mënyrë për të festuar rikthimin në ndërveprimin social të Italisë, pas kufizimeve që imponoi pandemia në dy vitet e fundit.