Këtë të diel, qendrave të votimit në Tiranë i janë drejtuar edhe të huajt të cilët kanë marrë shtetësi shqiptare. Një prej tyre është edhe senatori italian Luciano D’Alfonso, i cili nga viti 2003-2009 ka qenë kryebashkiak i Peskarës dhe ka shërbyer si President i rajonit të Abruzzos në Itali.
Por D’Alfonso nuk është i vetmi.
Gazeta italiane “Corriere Della Sera” i ka kushtuar një artikull zgjedhjeve vendore në Shqipëri, ku nënvizon se mes zgjedhësve të regjistruar janë edhe këngëtari italian Albano Karrizi dhe prezantuesi i njohur i emisionit “Striscia la Notizia”, Ezio Greggio.
“Corriere Della Sera” shkruan se Greggio rezulton votues në njësinë administrative numër 3 në Tiranë, ndërsa këngëtari legjendar në vendin tonë fqinj përtej Adriatikut, është i regjistruar në Vlorë. Albano u bë zyrtarisht qytetar shqiptar me dekret presidencial të botuar në fletoren zyrtare 10 qershorin e vitit 2016, ndërsa përpara tij, janarin e 2015-tës, Gregio kishte qenë në listën e 15 personave, për të cilët ish kreu i shtetit, Bujar Nishani firmosi dhënien e shtetësisë shqiptare.
Pavarësisht kaosit institucional në vendin ballkanik me praninë e një kandidati të vetëm, atij të mazhorancës dhe bojkotin e zgjedhjeve nga opozita, të dy ata janë thirrur të kryejnë detyrën e qytetarit duke hedhur votën e tyre, thekson e përditshmja italiane.
Ajo jep edhe detaje më të hollësishme, duke treguar kështu se drejtuesi historik i “Striscia la notizia” mund të votojë në shkollën “Kongresi i Lushnjës“, dhe Albano në shkollën “Qemal Atatukr” në Vlorë.
Nëse ata do të zgjidhnin ta ushtronin këtë të drejtë të tyre kushtetuese, vazhdon “Corriere” që megjithatë e vë në dyshim një gjë të tillë, do të gjendeshin në një klimë politike të përflakur me qendrën e djathtë që është zotuar të mos lejojë zhvillimin e zgjedhjeve duke bllokuar mes të tjerash dhe përdorimin e hapësirave publik dhe mes tyre zyrat e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor, dhe ndërhyrjet e ditëve të fundit të SHBA, OSBE dhe Ambasadave më të rëndësishme në vend të cilat kanë kërkuar garantimin e procesit zgjedhor ashtu si dhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar.