Ivanka Trump ka mbledhur 13 milionë dollarë fonde për një javë për fushatën e babait të saj, madje në shtator ka thyer rekordin një-ditor që kishte vendosur ish-Presidenti Barack Obama vite më parë.
The Hill raporton se vetëm javën e kaluar (pra javën e fundit para zgjedhjeve) 39-vjeçarja mblodhi 13 milionë dollarë.
Vajza e presidentit Donald Trump ka organizuar më shumë se 30 evente që nga gushti, 11 prej të cilave u organizuan këtë javë. Gjatë gjithë kësaj kohe ajo ka mbledhur më shumë se 35 milion dollarë.
Në një nga këto evente, Ivanka ishte në gjendje të thyente rekordin një-ditor që kishte vendosur Barack Obama në vitin 2014 prej 3.8 milion dollarësh. Gjatë eventit të mbajtur në Austin në Teksas në shtator, Ivanka mblodhi 4.5 milion dollarë.
Tubimet e Ivanka Trumpit kryesisht janë konsideruar më të buta sesa ato të babait të saj. Shtëpia e Bardhë dhe fushata e presidentit Donald Trump janë mbështetur tek ajo për t’u bërë thirrje votuesve gra në periferi.
“Si një nënë që punon dhe i ka kushtuar karrierën e saj përmirësimit të jetës së grave, Ivanka i kupton thelbësisht çështjet me të cilat përballen familjet amerikane sot”- tha Mercedes Schlapp, një këshilltare e lartë për fushatën Trump. “Ivanka Trump mund të flasë për suksesin e Presidentit Trump nga perspektiva e një këshilltareje politike dhe e një anëtareje e familjes – një kombinim jashtëzakonisht efektiv në fushatë.”
Ndihma për mbledhjen e fondeve nga Ivanka Trump ka ardhur në një moment vendimtar që kur fushata e presidentit mbeti mbrapa asaj të ekipit të kandidatit demokrat Joe Biden.
Biden e mbylli shtatorin me 177.3 milionë dollarë, ndërsa presidenti Trump kishte 63.1 milion dollarë, sipas regjistrimeve të Komisionit Federal të Zgjedhjeve.