Opinione Izraeli, Irani dhe SHBA po tërhiqen drejt luftës nga përbindëshat që i...

Izraeli, Irani dhe SHBA po tërhiqen drejt luftës nga përbindëshat që i krijuan vetë

Luftëtarë të Hezbollahut të vrarë në përleshjet me trupat izraelite në Liban dërgohen në varrezat e tyre më 27 tetor 2023

Baria Alamuddin*

Ndërsa po përshkallëzohet masakra në Gaza, kërcënimi mbarë-rajonal që vjen nga micilitë paraushtarake të mbështetura nga Teherani dhe arsenalet e tyre të pafundme raketore, nuk është më abstrakt.

Qindra mijëra paraushtarakë të radikalizuar dhe transnacionalë, po e shtyjnë veten drejt një konflikti, së pari kundër Izraelit, por duke tërhequr ndoshta edhe SHBA-në, aleatët e saj dhe gjithë rajonin.

Tashmë këto milici po grumbullohen përgjatë kufijve Siri-Liban-Izrael, ku ka sulme me raketa, përleshje të armatosura në terren si dhe sulme me avionë. Figura të njohura ushtarake në Izrael, kanë deklaruar prej kohësh se është e nevojshme një përballje vendimtare me këto fraksione.

Aq më tepër tani që udhëheqja e Izraelit beson gjerësisht se është Irani, ai që e shkaktoi konfliktin e fundit në Gaza nëpërmjet Hamasit. Më shumë se 8000 njerëz janë vrarë deri tani në Gaza, përfshirë rreth 3200 fëmijë palestinezë. Një përhapje e konfliktit në kufirin verior të Izraelit do të sillte një konflikt shumë më të madh, sepse në të do të përfshihej Hezbollahu që mburret se ka 100.000 luftëtarë dhe mbi 150000 raketa.

Po ashtu është milicia Al-Hashd Al-Sha’abi në Irak, e cila ka nën urdhrat e saj mbi 240.000 luftëtarë, si dhe lidhje me forca të tjera në Siri dhe Jemen.

Pastaj janë edhe 190.000 luftëtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike në Iran, shumë prej të cilëve janë tashmë të dislokuar në të gjithë rajonin.

Këto forca i kundërvihen 170.000 ushtarëve aktivë të ushtrisë së Izraelit dhe 460.000 rezervistëve. Prania e mbi 300.000 forcave izraelite pranë Gazës, tregon se përse një luftë me shumë fronte është skenari më i frikshëm për Izraelin, sidomos tani që trazirat kanë përfshirë edhe Bregun Perëndimor, enklavën e banuar sërish nga palestinezët.

Ndërhyrja e SHBA-së mund të bëhet e pashmangshme sapo të ndërhyjnë milicitë e mbështetura nga Irani. Sepse Izraeli nuk mund të luftojë dot në të gjitha frontet. Nervozizmi i Uashingtonit përballë skenarit të një konflikti të gjithanshëm, duket tek sjellja e ndrojtur dhe reagimi pasiv pas 18 sulmeve të këtyre milicive kundër objektivave të SHBA-së në Irak dhe Siri, përpara se të kundërpërgjigjej me 2 sulme simbolike kundër bazave të këtyre organizatave në kufirin Siri-Irak.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby deklaroi:”Askush nuk po kërkon një konflikt me Iranin”. Ndërkaq Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, tha se SHBA-ja nuk ka “asnjë synim apo dëshirë për t’u përfshirë në armiqësi të mëtejshme”.

Por, ndërsa vazhdojnë sulmet e milicive, SHBA-ja mund të zhytet pa dëshirë në një konflikt të përshkallëzuar. Shtetasve perëndimorë po u kërkohen të largohen nga Libani. Evakuimi po ndodh në aeroportin e vetëm që funksionon aktualisht në Bejrut, teksa ka një panik mbarëkombëtar për nisjen e një sulmi të Izraelit ndaj këtij vendi.

Ky konflikt është i mundur, sepse të gjitha palët krijuan dhe provokuan fenomene të rrezikshme, të cilat nuk mund t’i kontrollonin. Vetë ekzistenca e Hezbollahut dhe Hamasit, është pasojë e makinacioneve historike nga ana e Izraelit.

Hezbollahu u themelua nën rrënojat e krijuara nga pushtimit izraelit i Libanit në vitin 1982, ndërsa zgjerimi i Hamasit ishte produkt i kultivimit të lëvizjes islamike të Palestinës nga ana e Izraelit, si një kundërpeshë ndaj Organizatës për Çlirimin e Palestinës të Jaser Arafat e cila ishte laike.

Refuzimi i zgjidhjes së konfliktit përmes krijimit të 2 shteteve nga Benjamin Netanyahu, e shpërbëhu opinionin e moderuar dhe intelektual palestinez, duke i lënë islamikët e armatosur si të vetmet entitete me një strategji të zbatueshme për t’i rezistuar pushtimit.

Shumë analistë izraelitë dhe amerikanë thonë se Netanyahu dhe Hamasi kanë pasur prej dekadash një marrëdhënie “simbiotike” (me përfitim të ndërsjelltë), duke e përdorur njëri-tjetrin për interesat e ngushta politike. Turma keqdashëse kolonësh, të mobilizuar në prapaskenë nga elementë të së djathtës ekstreme, nxitën një kaos në Bregun Perëndimor, që tashmë po kërcënon të shpërthejë në fytyrat e të gjithëve.

Ndaj rezultati i vetëm i mundshëm i masakrës në Gaza, do të jetë provokimi i dëshirës për hakmarrje tek brezi i ri. Teherani e ka shumë të vështirë të mbajë nën kontroll micilitë transnacionale që krijoi dikur. Komandantët kapriçiozë si Qais Khazali e shohin provokimin e përhershëm si një strategji shumë produktive.

Ata kanë karriera të ndërtuara mbi anarkinë dhe kaosin. Kata’ib Hezbollah ka kërcënuar me sulme në Gjirin Persik, Houthi-t po lëshojnë dronë mbi hapësirën ajrore egjiptiane dhe saudite, ndërsa militantët irakianë po bllokojnë furnizimet e naftës përgjatë kufirit me Jordaninë.

Që të gjitha këto rritin shanset për një rajonalizim të konfliktit. Nga njëra anë Teherani bën thirrje për de-përshkallëzimin e situatës, ndërsa nga ana tjetër merret me provokime të reja. Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian u gëzua që paraushtarakët e Hezbollah i kishin “gishtat e tyre në këmbëz”, dhe u mburr se lëvizjet e tyre të ardhshme do të jenë “shumë më të fuqishme se sa janë parë deri sot”.

Irani e ka ndihmuar për dekada Hezbollahun, që ka luajtur një rol udhëheqës në trajnimin dhe mobilizimin e milicive të tjera rajonale. Metodologjia e sulmeve vetëvrasëse me shumë viktima, e shfrytëzuar pafundësisht nga ISIS dhe Al-Kaeda, u krijua nga Hezbollahu në vitet 1980.

Teherani nuk do që të shohë Izraelin të copëtojë dhe eliminojë asetin e tij më të madh ushtarak në rajon. Ndërkohë vetë Hezbollahu, ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojë duarkryq duke parë shkatërrimin e Hamasit. Ashtu si fuqitë e tjera që manipuluan konfliktet e Lindjes së Mesme për hir të interesave të tyre, edhe Rusia po fërkon duart duke i hedhur benzinë zjarrit, duke shpresuar se nëse Perëndimi tërhiqet në një konflikt të zgjeruar në rajon, Ukraina do të harrohet plotësisht.

Ndërkaq në vitin 2014, SHBA-ja lejoi krijimin e paraushtarakut irakian Al-Hashd Al-Sha’abi si një mjet për të luftuar ISIS, paralelisht me milicitë e mbështetura nga Uashingtoni në Siri. Por fuqitë perëndimore nuk bënë asgjë për të parandaluar dyfishimin e madhësisë së Hashd, madje edhe pas humbjes së ISIS-it, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura mbi rreziqet që paraqisnin forca të tilla për stabilitetin rajonal.

Ashtu si në filmat me përbindësha që çlirohen nga zinxhirët, dështimi për të vrarë “demonët” e konflikteve të kaluara po na përndjekin sërish sot. Qëndrimi dhe provokimi oportunist nga ana e milicive transnacionale dhe pagatorëve të tyre, ofrojnë pak ngushëllim për qytetarët e Gazës, të cilët po bombardohen dhe po shfarosen nga uria.

Askush nuk e dëshiron një konflikt të zgjeruar:as Izraeli, as Amerika dhe sigurisht as Irani, një shtet i falimentuar nga pikëpamja ekonomike. Por të gjitha këto palë janë shndërruar në të burgosur të pafuqishëm të një ciklit përshkallëzues, të cilin po e ushqejnë me shumë zell ata dhe milicitë e tyre.

*Arabnews