Kryesore Jacinda Ardern, liderja më efektive në planet

Jacinda Ardern, liderja më efektive në planet

Kryeministrja e Zelandës së Re, po bën për vete botën me strategjinë empatisë, ndërsa po e çon vendin në rrugën e duhur të suksesit në luftën kundër Covid

Uri Friedman – The Atlantic

Pandemia e koronavirusit mund të jetë testi më i vështirë për lidershipin politik që bota ka dëshmuar ndonjëherë. Liderët pa përjashtim po përballen me të njëjtin kërcënim. Por secili po reagon në mënyra të ndryshme. Gjykimi? Do vijë nga rezultatet post-pandemisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel përqafon shkencën. Presidenti brazilian Jair Bolsonaro e kundërshton atë. Deklaratat e përditshme të Presidentit amerikan Donald Trump janë një spektakël më vete, ndërsa kryeministri indian Narendra Modi nuk shfaqet dhe aq shpesh, edhe pse drejton 1.3 miliardë njerëz.

Jacinda Ardern, kryeministrja 39-vjeçare e Zelandës së Re, ka ndjekur një tjetër rrugë. Stili i saj i udhëheqjes bazohet tek empatia që i “tundon” njerëzit të kujdesen seriozisht për veten e familjet e tyre në mes të një krize. Mesazhet e saj janë të qarta, të qëndrueshme, njëkohësisht kthjelluese dhe qetësuese. Dhe qasja e saj jo thjesht po i bën njerëzit të ndihen emocionalisht më mirë, por në të vërtetë po punon shumë mirë.

“Njerëzit mendojnë se Ardern nuk u bën moral, por përkundrazi, bashkohet me ta”! Kështu më tha Helen Clark, ish-kryeministrja e Zelandës së Re nga viti 1999 deri në vitin 2008. (Ardern punoi për të gjatë kohës që qeveriste).

“Madje ata mund të mendojnë: Nuk e kuptojmë pse qeveria po e bën, por e dimë se ajo na mbështet. Dua të them se ka një nivel të lartë besimi tek ajo për shkak të empatisë. Ajo di të komunikojë, ka diplomë në shkenca komunikimi. Kjo është një lloj krize që ose të bën një lider të vërtetë ose jo. Dhe kjo padyshim që do e bëjë Jacindën”!

Një nga risitë e kryeministres kanë qenë komunikimet e shpeshta Live në Facebook, madje edhe komunikime jo formale, por informuese. Në ditën që ajo do të njoftonte mbylljen, u shfaq me një xhup nga shtëpia e saj. Tregoi se e kishte vënë vajzën në shtrat dhe bëri me dije udhëzimet duke u kërkuar të gjithëve të përgatiten.

Ajo diti si ti paraprijë alarmit të urgjencës duke u shpjeguar me qetësi njerëzve se si jeta e tyre do të ndryshonte, se sa shumë kanë nevojë të qëndrojnë jashtë, dhe prindërit të argëtojnë në kënde lojërash fëmijët, por duke informuar që virusi jeton në sipërfaqe për 72 orë.

Tregonte se mbyllja në shtëpi mund të zgjasë me javë, por gjithashtu informonte që: Nuk do i shohim përfitimet e izolimit në shtëpi dhe përpjekjet tona për të paktën 10 ditë, pra mos u dekurajoni!

Në daljen më të fundit live në Facebok, një nga punonjësit shfaqet në zyrën e saj, dhe kryeministrja sapo po fillonte të shpjegonte se si duket jeta pas masave lehtësuese, tha: Oh shikoni është Leory!

Në tavolinën e punës mbante lodra fëmijësh. Skena duket e përshtatshme për një epokë në të cilën puna dhe jeta private e familjare po përplasen gjithnjë e më shumë.

Teksa mban konferenca ditore me zyrtarë të lartë dhe gazetarë, ajo ndalet edhe në aspekte personale:

Clarke thotë: Trump bën azhurnimet e tij, por kjo e Ardern është një tjetër lloj shfaqje! Në asnjë rast Jacinda nuk ka dalë duke sulmuar gazetarë që i bëjnë pyetje.

Trump e ka bërë shpesh këtë, ndërsa Ardern, kur një gazetar harroi pyetjen që do i bënte iu përgjigj me shaka: Jam e shqetësuar se ju nuk po flini gjumë aq sa duhet! Ajo nuk mundohet të dezinformojë, nuk fajëson, përpiqet të menaxhojë situatat dhe të gjithë në të njëjtën kohë. Metoda e saj është: Tregohu i sjellshëm me tjetrin. Kjo është më e rëndësishme sesa njerëzit të kuptojnë se po mbahen qëndrime lokale.

Stili i Ardern do të ishte interesant: Një lidere botërore më veshje të rastit duke biseduar në një komunikim të thjeshtë me miliona njerëz. Dhe asgjë më shumë, nëse nuk do ishte për faktin se qasja e saj është njësh me politikat që kanë prodhuar rezultate reale, të një lidershipi botëror.

Që nga muaji Mars, Zelanda e Re ka qenë unike në krijimin e një qëllimi kombëtar jo vetëm për të ulur kurbën e rasteve me koronavirus, siç kanë synuar shumica e vendeve të tjera, por edhe për të eliminuar komplet virusin. Dhe duhet thënë se është në rrugën e duhur për ta bërë këtë. Në Zelandën e Re bëhen shumë testime, sistemi shëndetësor nuk u mbingarkua. Rastet e reja arritën kulmin vetëm në fillim të prillit. 12 njerëz kanë ndërruar jetë në një popullsi prej 5 milionë banorësh.

Me shumë ishuj të izoluar në Paqësorin e Jugut, Zelanda e Re pati një pozitë të favorshme për ta shuar pandeminë. Dhe kjo siç deklaron Clark është avantazh.

Por qeveria e Ardern, mori edhe një vendim të menjëhershëm. Imponoi një bllokim kombëtar më herët sesa vendet e tjera. Ndaloi udhëtimet nga Kina që në fillim të shkurtit, para se vendi të konfirmonte një rast të vetëm. Por edhe mbylli kufijtë për gjithë jorezidentët në mes të marsit.

Michael Baker dhe Nick Ëilson, dy nga ekspertët më të mirë të shëndetit publik të Zelandës së Re, kanë thënë se ndërsa strategjia ambicioze e vendit edhe mund të dështojë, ndërhyrja e hershme u dha kohë ekspertëve të merrnin masat, siç është karantinimi në mënyrë rigoroze në kufijtë e vendit, zgjerimin e testimit COVID-19 dhe gjurmimin e kontakteve.

Jackson, studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë se sistemi i Ardern me katër nivele që në fillim të krizës ishte një model i shkëlqyer për të përgatitur njerëzit psikologjikisht, por edhe për të kuptuar seriozitetin e kësaj krize. Pra shumë ndryshe nga qasja e Trump e tipit: Çfarë do bëj sot?

Megjithatë, jo çdo gjë që bëri Ardern pati sukses. Suksesi ishte një produkt edhe i një përpjekje mbresëlënëse kolektive nga institucionet e shëndetit publik, politikanët e opozitës dhe Zelandës së Re si një e tërë, të cilët kryesisht kanë respektuar udhëzimet e distancimit social.

Ka patur edhe tensione. Edhe pse qeveria ka paraqitur shumë masa stimuluese ekonomike, disa politikanë të opozitës dhe ekspertë të shëndetit publik tani kërkojnë që bllokimi të vijojë më tej. Ata akuzojnë qeverinë për reagime të tepërta dhe argumentojnë se Australia ka arritur të zvogëlojë rastet e reja të koronavirusit pa bllokimin e fortë si në Zelandën e Re.

Një sondazh nga Colmar Brunton në fillim të prillit zbuloi se 88 përqind e banorëve i besuan vendimet e qeverisë duke i konsideruar të duhurat. 84 përqind e aprovuan përgjigjen e qeverisë ndaj pandemisë, një mbështetje shumë më e madhe sesa popujt nga shtatë vendet me ekonomitë më të mëdha në botë, përfshirë SHBA-të. Pra qytetarët e Zelandës së Re mbështesin politikat e qeverisë, edhe pse shumë prej tyre janë goditur në një periudhë afatshkurtër ekonomikisht nga pandemia.

Megjithatë, eksperti Jackson ka një shqetësim: Ndërkohë që Ardern dhe shumë liderë të rinj europianë kanë naviguar për të trajtuar krizën e koronavirusit, si do e trajtojnë pasojën që vjen pas pandemisë kjo gjeneratë e re udhëheqësish?

“Vendimet strategjike dhe marrja e vendimeve në kohë krizash janë shumë të ndryshme”, vuri në dukje ai. “Bota do të ndryshojë në vitet e ardhshme, kryesisht për keq. Një depresion i madh duke i pashmangshëm. Oportunizmi strategjik i Kinës nuk njeh kufij. Diktatorët janë duke përdorur pandeminë për të forcuar kontrollin e tyre mbi shoqëritë. Institucionet nuk po bashkëpunojnë siç u premtua. Të kalosh këtë krizë pa u prekur është vetëm një hap në një proces më të gjatë drejt një bote të re të guximshme”.