Nga Nertila Maho- Revista Monitor
Miliarderët janë shpesh pjesë e titujve “bombastikë” të mediave në botë dhe, në shumë raste, për stilin ekstravagant të jetesës së tyre. Kanë supermakina, megajahte, hotele dhe bëjnë pushime që të krijojnë iluzionin e një bote tjetër, të një bote ireale. Shqipëria, edhe pse një pikë oqeani, duket se nuk i ka shpëtuar tendencës që kanë super të pasurit për të shijuar në maksimum aksesin që të jep ky status.
Së fundmi, një tendencë që po përvijohet është zotërimi i një jahti duke kaluar nga faza e qiramarrjes në atë të të qenët pronar. Burime nga operatorët e tregut që kryejnë edhe negociatat apo asistojnë në transaksione, thanë për “Monitor” se, në harkun e më pak se një viti janë blerë shtatë jahte, por numri i tyre është shumë më i madh. Pyetja që lind vetvetiu është: Ku janë këto jahte, pse nuk i shohim në brigjet shqiptare?
Në fakt, shumica zgjedhin t’i mbajnë larg Shqipërisë, në brigjet e Montekarlos në Monako, të Kanës në Francë, në Holandë, dhe më i afërti me Shqipërinë, në Tivat të Malit të Zi. Ka edhe nga ata që zgjedhin të prekin herë pas here brigjet shqiptare, por ky veprim nuk u krijon problemin e zakonshëm që lind nga burokracia, sepse regjistrimi i tyre është bërë nën flamurin e një shteti tjetër, që rëndom mund të jetë Malta, Holanda, Italia, Qiproja apo Monako.
Volumet kanë ardhur në rritje dhe këtë e konfirmon edhe tendenca që ka pasur importi i mjeteve të tjera lundruese ku motoskafë, varka me motorë dhe gomone kanë shënuar nga viti 2012 në 2016 një shifër prej 4165 njësish të importuara, me një vlerë kumulative prej 4.5 milionë dollarësh, sipas burimeve zyrtare.
Por ndërsa për këtë kategori është e lehtë të kuptosh vlerën e shpenzuar, për jahtet, transaksionet kryhen në kanale jashtë Shqipërisë por që përmes agjencive negociatore mund të krijosh një ide mbi milionat që qarkullojnë. Dorian Mersini, avokat për çështjet detare, shprehet se interesi ka ardhur në rritje, por transaksionet që bëhen nuk kalojnë përmes Shqipërisë. Ai shton se janë të paktën 20 milionë euro blerje jahtesh që janë bërë në vend, nga të cilat, Shqipëria ka humbur 4 milionë vetëm nga mosarkëtimi i TVSH-së së zhdoganimit .
Kush po i ble?
Jo çdokush mund të blejë një jaht, në shumë raste jo për hir të shpenzimit të parë që është vlera e këtij mjeti, por më tepër për koston e mirëmbajtjes dhe të akostimit. Këto janë ato që përbëjnë sfidën e vërtetë dhe sidomos në një shtet si Shqipëria, ku infrastruktura është e dobët dhe jahtet shihen me dyshim si të ishin “gomone” që janë bërë herë pas here pjesë e lajmeve me aksione policorë dhe antikanabis. Nëse e merr një jaht, me logjikë ai duhet të qëndrojë në ujë dhe jo të magazinohet diku, kjo fazë e bën atë thjesht një mjet të rëndomtë.
Por kush po i ble në fakt jahtet sipas biznesmenëve dhe sektorëve ku operojnë? Pothuajse në të gjithë sektorët ka nga një emër përfaqësues, por vitet e fundit, janë kryesisht ndërtuesit, të cilët kanë blerë jahte, industria e lojërave të fatit ka qenë e interesuar gjithashtu, si dhe bankierët. Këta të fundit, ku shumica janë të huaj por jo vetëm, vijnë nga një tjetër kulturë, ku të pasurit e një jahti nuk përbën diçka të jashtëzakonshme, por një mënyrë për t’i shpëtuar rutinës. E në këto kushte kanë edhe jahtet e tyre, për aq kohë sa edhe shtetësia e huaj dhe një mjet i regjistruar nën një flamur joshqiptar ua bën më të thjeshtë situatën.
Nuk është e vështirë të gjesh emrat e atyre që kanë sot një jaht, kjo pasi në faqet e kompanive që kanë kryer transaksionet dhe regjistrimet e tyre nën flamurin e shtetit tjetër, pikërisht blerësit kanë lënë edhe përshtypjet për shërbimin e kryer, gjithsesi më shumë sesa emrat e përveçëm, rëndësi po marrin tre pika: shqiptarët po ndjekin tendencën e blerjes së jahteve, Shqipëria po humb paratë nga transaksionet e kryera që nuk kanalizohen përmes saj dhe duket se asgjë nuk është gati në terren për t’ju përgjigjur kësaj tendence.
Një ngërç duket se e shkaktoi një moratorium i gjatë i aplikuar nga ish-qeveria Berisha dhe një politikë e zbehtë e rregullimit të këtij sektori nga qeveria Rama, e cila erdhi vetëm pak muaj pas heqjes së ndalimit.
Ku po i mbajnë sot jahtet shqiptarët
Sot, shqiptarët po i mbajnë jahtet e tyre edhe në Porto Montenegro që ndodhet në Tivat, në Malin e Zi. Në këtë port ekziston opsioni i qiramarrjes me afat të gjatë nga 10 në 30 vjet për një vend akostimi. Në total, në këtë port janë 450 vende për akostim. Nga viti 2009, kur nisi aktivitetin, janë shitur 200 prej tyre. Kostoja për akostimin e një jahti me afat 12-mujor dhe me një gjatësi prej 15 metrash është 3500 euro, por edhe kjo varion sipas parametrave specifikë të çdo jahti.
Bonus në rastin e Portit të Tivat është fakti që Porto Montenegro, ashtu si një pjesë e mirë e porteve me koncesion apo privatë të jahteve, ofron lehtësi si furnizim me karburant pa taksat mbi çmimin final, çka e bën shumë ekonomik udhëtimin, si dhe pjesën e pijeve dhe verës sërish “tax free”.
Një pjesë tjetër e atyre që kanë jahte zgjedhin t’i mbajnë edhe në Holandë dhe kjo sepse procedura e regjistrimit nën flamurin e tyre është pa burokraci, madje mund të plotësohet edhe online, me një vlerë nga 220 euro në 350 euro, ndërkohë që tarifat e akostimit variojnë sipas portit.
Në Shqipëri, sipas ekspertëve, regjistrimi kthehet në një makth për qytetarët, pasi legjislacioni mbetet ende i pafreskuar me kërkesat e kohës dhe hapat që kanë bërë shtetet europiane. Mbetet ndoshta pjesa që kemi përafruar më pak.
Rritet importi i gomoneve, skafeve dhe varkave me motor
Të dhënat tregojnë se ka një tendencë gjithnjë në rritje për blerjen e një mjeti lundrues. Një jaht në kufijtë 20-25 metra nis minimalisht me vlerën nga 500 mijë euro dhe sipas madhësisë dhe faciliteteve të integruara në të, rritet edhe çmimi, që shkon në miliona euro.
Por jo të gjithë mund të përballojnë shpenzimet marramendëse që ka një mjet lundrues i klasifikuar si jaht. Ndaj një pjesë e mirë e atyre që gëzojnë një status ekonomik të kënaqshëm dhe ndajnë pasionin për peshkimin, eksplorimin dhe adrenalinën që të jep deti mjaftohen edhe me mjete lundruese më ekonomike, siç mund të jenë skafet, gomonet por pse jo, edhe motor uji që rëndom njihen si jet ski.
Por si paraqitet importi për këto mjete nga viti 2012 e deri në fund të vitit 2016. Në vitin 2012, kur ende kishim moratoriumin në fuqi janë importuar të paktën 84 gomone, që fryhen me ajër ose gaz në një vlerë kumulative prej mbi 67 mijë dollarësh. Në vitin 2013, kur u hoq moratoriumi, importi për këto gomone shkoi në 130 njësi dhe vlera në para e tyre, 114 mijë dollarë. Në vitin 2014 u importuan 221 njësi gomone, me një vlerë 137 mijë dollarë. Kulmi për këtë kategori do të ishte viti 2015, 616 njësi dhe vlerë 248 mijë dollarë. Në vitin 2016, edhe pse numri është i ulët, vetëm 121, vlera e tyre kap rekordin 318 mijë dollarë, çka tregon për import të gomoneve më të shtrenjta, pasi çmimi mesatar për njësi ka arritur 2628 dollarë.
Nga viti 2012 deri në fund të vitit 2016, në total janë importuar 365 motoskafë dhe vlera e tyre arrin në 1.66 milionë dollarë. Mesatarisht, çmimi për njësi është 4669 dollarë. Viti kur janë importuar më shumë motoskafë është 2015, me105 të tillë, kurse në vitin 2016, rezultojnë vetëm 75 njësi.
Në listë janë edhe mjetet e tjera lundruese si varka me motor apo jet ski, që arrijnë në shifrën 2023, nga një luhatje prej 90 minimalisht në vitin 2012 dhe 282 në vitin 2013. Vlera e importeve për këtë kategori është 1.9 milionë dollarë, me çmimin mesatar për njësi prej 718 dollarësh, por që çmimi i varkave ulet dukshëm nga mesatarizimi me çmimin e jet ski (shiko grafikët në fund të shkrimit).
Në total, ajo që vihet re është tendenca e shqiptarëve për t’u pajisur me mjete lundruese, ku një pjesë e mirë kanë shkuar edhe në funksion të turizmit, siç janë kryesisht jet ski, por edhe për përdorim individual.