Pas më shumë se tri dekadash, peshkatarët japonezë kanë nisur gjuetinë e balenave për qëllime tregtare.
Ekspeditat pasuan vendimin e shumëkritikuar të fundvitit të kaluar që Japonia të tërhiqej nga Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Balenave.
Tetë anije lundruan të hënën nga portet veriore dhe jugperëndimore të Japonisë me objektivin për të vrarë rreth 227 gjitarë të mëdhenj të detit përpara vitit 2020.
Një balenë e llojit “Minke” u kap që në orët e mesditës, me peshë 5,6 tonë dhe gjatësi mbi 8 metra.
Në qytetet portuale të vendit, qytetarët e mirëpritën vendimin dhe e shohin si kthim te tradita e vjetër 400-vjeçare.
Kryetari i shoqatës për kapjen e balenave thotë se me kuotat e vendosura nga shteti, asnjë specie balene nuk rrezikon zhdukjen për 100 vitet e ardhshme.
Mishi i balenave në Japoni në vitet 1960 të pasluftës ishte burim i rëndësishëm i proteinës, dhe atëkohë konsumi i brendshëm vjetor shkonte deri në 200 mijë tonë.
Që nga moratoriumi i vitit 1986, konsumi i mishit të veçantë ka rënë në 5 mijë tonë në vit, ndërsa aktivistë dhe organizata ndërkombëtare druhen se me shtimin e gjuetisë, speciet e gjitarëve të mëdhenj do të shfarosen.