Bota Hong Kong, protestuesit pushtojnë Parlamentin dhe vendosin flamurin e vjetër anglez

Hong Kong, protestuesit pushtojnë Parlamentin dhe vendosin flamurin e vjetër anglez

Përkeqësohet situata në Hong Kong pas protestës së sotme, ku mijëra protestues janë përballur me forcat e rendit që mbrojnë godinën e Qeverisë.

Në orët e fundit, protestuesit që kanë rrethuar godinat qeveritare, kanë arritur të hynë me forcë në sallën e parlamentit, duke filluar të shkruajnë nëpër mure slogane anti-kineze, djegur simbolin zyrtar të Hong Kongut  dhe duke risjellë në godinë flamurin e vjetër, kur vendi ishte koloni angleze.

Policia ka përdorur gas lotsjellës dhe lëndë të tjera me piper por pa mundur të zmbrapsë turmën. Deri më tani pasive, forcat e rendit kanë paralajmëruar se do të reagojnë me forcë po vazhduan sulmet ndaj godinave qeveritare.

Protesta e sotme përkon  me traditën e protestave që mbahen çdo vit në1 korrik që kur ish kolonia britanike i kaloi Kinës, edhe pse me statusin e zonës speciale,  në vitin 1997.

Protestuesit kanë muaj që manifestojnë në qytetin-shtet pas projektit për miratimin e një ligji për ekstradimin që do të mundësonte kryerjen e dënimit në Kinë për krimet e kryera në Hong Kong.

Edhe pse drejtuesja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka pezulluar projektligjin, protestuesit nuk kanë ndalur dhe kërkojnë dorëheqjen e saj si dhe braktisjen përfundimtare të ligjit.