Kryesore Jeruzalemi/ Shqipëria rreshtohet me BE-në, voton kundër Trump

Jeruzalemi/ Shqipëria rreshtohet me BE-në, voton kundër Trump

Çfarë ndodhi në OKB: Cilat ishin 9 shtetet që mbështetën Trump dhe pse vendet kryesore të Bashkimit Europian ishin kundër. Amerika premton hakmarrje: Nuk do ta harrojmë

Me një diferencë të thellë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që i bën thirrje SHBA të tërheqë njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit.

Kundër vendimit të Trump votuan plot 128, mes tyre edhe Shqipëria, ndërsa 9 vende votuan pro dhe 35 abstenuan.

Vota e Asamblesë së Asambleja e Përgjithshme të OKB, në ndryshim nga ajo e Këshillit të Sigurimit nuk është në ansjë mënyrë detyruese, por ka një impakt të madh politik.

Nëntë shtetet që u rreshtuan me Trump mbi Jeruzalemin kryeqytet të shtetit hebraik në Asamblenë e OKB-së ishin: Guatemala, Honduras, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Palau, Togo dhe sigurisht Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Kundër vendimit të gjitha shtetet kryesore të Bashkimit Europian, duke nisur nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja. 35 vende abstenuan. mes tyre: Australia, Kanadaja, Argjentina, Polonia, Rumania, Kolumbia dhe Kroacia.

Shqipëria

Vota e sotme ishte një moment i veçantë për Shqipërinë, që votoi kundër vendimit të Presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Në këtë mënyrë Shqipëria u rreshtua me 25 vende të Bashkimit Europian që u rreshtuan në bllok në favor të rezolutës dhe kundër vendimit të Donald Trump.

Por presidenti amerikan kishte thënë më herët se kombet që do të votonin kundër Amerikës do t’iu ndërpritej asistenca financiare.

“Nuk do të ndodhë më si përpara, që të votohet kundër nesh, e ne prapë të japim miliona e miliona dollarë. Nuk do të përfitojnë më prej Amerikës, kjo është e sigurtë”, deklaroi presidenti Trump.

Shqipëria është pikërisht njëri prej vendeve që e përfiton këtë lloj mbështetjeje nga Shtetet e Bashkuara.

Kërcënimi amerikan

I ashpër dhe mjaft kërcënues ishte ndërhyrja e ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley: “Amerika do ta spostojë ambasadën e saj në Jeruzalem dhe ky është një fakt i kryer. Asnjë votë në OKB nuk do ta bëjë diferencën. Por kjo është një votë që Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë si ditën kur u sulmuan sepse ushtruam të drejtën tonë si një vend sovran. Kjo votë do të bëjë diferencën se si amerikanët do ta shohin OKB-në dhe vendet që nuk na respektuan. Do ta kujtojmë këtë votë”.

Më herët edhe ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley kishte paralajmëruar se do të mbaheshin shënim mënyra se si do të votonin të gjitha shtetet.

Ndërkohë që ambasadorja dhe bashkëshorti i saj me origjinë shqiptare kishin marrë pjesë gjatë të mërkurës në një pritje të konsullatës së përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, ku ambasadorja kishte premtuar Shtetet e Bashkuara do të angazhoheshin fuqishëm për njohje të tjera të pavarësisë së Kosovës.