Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në një konferencë për mediat se vendimi negativ për hapjen e negociatave pritej, pavarësisht se nuk ishte ai që kishte shpresuar.
“Nuk është ajo që kemi dëshiruar dhe shpresuar, por do të ishte një gënjeshtër e madhe ndaj shqiptarëve po t’i thoshim që nuk e prisnim. Që prej vendimit të Bundestagun për vendosjen e 9 kushteve Shqipërisë dhe hapjen e negociatave vetëm pas plotësimit të këtyre 9 kushteve, ishte e qartë që Këshilli Europian nuk do të mund të merrte një vendim më pozitiv se ai”, tha Basha.
Kreu i opozitës u shpreh se mos-hapja e negociatave nuk është si pasojë e përplasjeve brenda BE, por me situatën në Shqipëri.
“Le ta themi qartë për çdo shqiptar se dëshironim një rezultat ndryshe sot, por nuk prisnim më mirë se çfarë tha Bundestagu. Arsyet për këtë janë fare të qarta dhe unë ftoj këdo që mund t’i ketë harruar 9 kushteve të Bundestagut. Ishin 5, u bënë 7, më pas 9 sepse Shqipëria po shkon mbrapa. Dy kushtet shtesë kanë të bëjnë me blerësit e votave. Këto tregojnë hapat prapa që ka bërë Shqipëria. Këto janë faktet. Megjithatë, ka një përpjekje për ta shitur të sotmen si një përplasje të vendeve të BE, por qytetari i parë ta thotë se ka të bëjë me problemet e brendshme. I sapo kthyer nga Berlini, më informacionet më të freskëta nga kryeqendra e Gjermanisë. Është e vërtetë se prej 3 vjetësh mbizotëron një mosbesim nga vendet anëtare. Kush nga ne shqiptarët nuk e di se çfarë problemi të tmerrshëm me emigracionin kemi”, tha kreu i opozitës.
Basha tha më tej se në Europë nuk shkohet me “Toyota Yaris”. “Macron po kërkon të reformojë se si vendet e ardhshme anëtare të kontrollohen, të mos kenë dështime si Rumania apo Bullgaria”.