Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka pritur në një takim këtë të mërkurë Presidentin e zgjedhur, Donald Trump.
Takimi mes të dyve ka për qëllim të demonstrojë një tranzicion të qetë mes administratave.
Biden dhe Trump janë ulur më pas në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, një mikpritje tradicionale që kryejnë presidentët në largim. Këtë gjë Trump e anashkaloi në vitin 2020 kur ai humbi përballë Biden garën për t’u rizgjedhur.
Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, Biden i tha Trump se pret një tranzicion të qetë të administratave.
Ndërkohë Trump është shprehur se “politika është e vështirë dhe në shumë raste nuk është shumë e këndshme. Por sot bota është më e këndshme”.
Po ashtu ai ka falënderuar Biden për tranzicionin e qetë.
Për vite me radhë Biden dhe Trump kanë kritikuar ashpër njëri-tjetri. Ata kanë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat, që nga ato me ndryshimin e klimës e deri tek ato që lidhen me Rusinë apo tregtinë.
Biden, 81 vjeç, e ka portretizuar Trump si kërcënim për demokracinë, ndërsa Trump, 78 vjeç, e ka portretizuar Biden si të paaftë.
Ndërkohë pavarësisht se tradicionalisht sot duhej të kishte edhe një takim me Zonjat e Para, Melania Trump vendosi të mos shkonte në Uashington duke mos e takuar në këtë mënyrë Jill Biden.