Histori “Ju rrahu kush?”: Politika e Mao Ce Dunit ndaj Shqipërisë

“Ju rrahu kush?”: Politika e Mao Ce Dunit ndaj Shqipërisë

Mao Ce Duni

Beteja për ishullin e Sazanit mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, 2,2 milionë shinikë drithë, një pyetje e Mao Ce Dunit për Ramiz Alinë dhe Mehmet Shehun dhe një tallje me Enver Hoxhën.

Nga Enver ROBELLI*

Mao Ce Duni është njëri nga udhëheqësit më brutalë të kohëve moderne. Ai ishte kryetar i Republikës Popullore të Kinës mes viteve 1954-1959 dhe mes 1943-1976 kryetar i Partisë Komuniste të Kinës. Me fushatat e tij të quajtura “Kërcimi i Madh Përpara” dhe “Revolucioni Kulturor”, ai u përpoq të modernizojë ekonominë dhe shoqërinë e Kinës. Rezultati doli ndryshe: rreth 70 milionë të vdekur, nga dhuna dhe uria. Në biografinë e Jung Chang dhe Jon Halliday lideri kinez përshkruhet si vrasësi më i madh masiv në histori dhe si sadist. Autorja dhe autori kanë punuar 12 vjet në këtë biografi, ajo përmban gati një mijë faqe dhe është një minierë me të dhëna të jashtëzakonshme, por nga lexuesi kërkon shumë durim për t’i shkuar në fund. Në këtë tekst do të koncentrohemi në raportet mes Republikës Popullore të Kinës dhe Shqipërisë.

1/ Beteja për ishullin e Sazanit

Në prill të vitit 1959 ministri i Mbrojtjes i Kinës, Peng Dehuai, u nis për një vizitë në shtetet e Europës Lindore. Ai po përpiqej të siguronte përkrahjen nga jashtë për të kundërshtuar Maon, politikat e të cilit po shkaktonin të vdekur nga uria. Lideri stalinist i Gjermanisë Lindore, Walter Ulbricht, e pyeti Pengun nëse Kina mund të dërgonte më shumë mish. Qëllimi i Ulbricht ishte që Gjermania Lindore të arrinte nivelin gjermanoperëndimor të konsumit prej 80 kilogramë mish për kokë banori gjatë vitit. Pas takimit, Peng u tha bashkëpunëtorëve të tij: “A thua çka do të mendonte populli ynë po ta dinte se do të duhej t’i ndihmonte të tjerëve që kanë 80 kilogramë mish në vit?” Pas Berlinit Lindor Peng vizitoi Pragën, për të arritur në cakun e fundit të vizitës së tij: në Shqipëri. Kur mbërriti në Tiranë më 28 maj 1959, Peng mori vesh se në kryeqytetin shqiptar sapo kishte ardhur lideri sovjetik Nikita Hrushov. Kjo ishte vizita e parë e Hrushovit në Shqipëri. Megjithatë, siç shkruajnë Jung Chang dhe Jon Halliday, ministri i Mbrojtjes i Kinës dhe udhëheqësi komunist sovjetik nuk u takuan në Tiranë, sepse Hrushovi nuk kishte përkthyes të gjuhës kineze me vete.

Hrushovi kishte ardhur në Shqipëri pasi regjimi komunist po i ofronte Moskës ishullin e Sazanit, një vend i përshtatshëm për të stacionuar nëndetëse në zemër të Mesdheut. Edhe misioni i Peng ishte të bind palën shqiptare që Sazanin t’ia japë palës kineze. Më 29 maj Peng u zgjua në orën pesë e gjysmë dhe mori rrugën për në Vlorë. Por vizita e Hrushovit e pengoi marrëveshjen shqiptaro-kineze. Kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, u shtrua edhe çështja e nëndetëseve sovjetike. Në janar 1961 Pekini i ofroi kryetarit të Shqipërisë, Enver Hoxha, një shumë të madhe prej 500 milionë rubla. Kur në qershor sovjetikët u përpoqën t’i tërheqin nëndetëset, Hoxha e pengoi këtë me forcë.

2/ Politikë me drithë

Si falënderim për 500 milionë rubla nga Kina, Enver Hoxha e ashpërsoi tonin kundër Bashkimit Sovjetik dhe Hrushovit. Shqipëria mori edhe 2,2 milionë shinikë drithë nga Kina. Sipas Jung Chang dhe Jon Halliday falë këtyre ndihmave shqiptarët atëbotë nuk e dinin çka domethënë racionimi i ushqimeve, ndërsa miliona kinezë vdisnin nga uria. Pupo Shyti, negociatori kryesor shqiptar në Pekin, tha se “në Kinë uria mund të shihej gjithkund”. Por “kinezët na jepnin çdo gjë”. – “Kur na duhej diçka, vetëm i pyesnim kinezët… Më vinte turp”.

Cili ishte qëllimi i kësaj politike me drithë? Pekini synonte të përçante bllokun komunist dhe të themelonte në mbarë botën parti maoiste. Me këtë mision ishte ngarkuar Kang Sheng, shefi i shërbimit sekret kinez. Mjaftonte të gjeje diku disa njerëz që këndojnë ca këngë për Maon dhe themelojnë një parti maoiste – dhe Pekini menjëherë fillonte t’i financojë dhe t’i ftojë në Kinë. Kështu ka thënë James Lilley, njeriu më i rëndësishëm i shërbimit sekret amerikan CIA në Kinë. Në arkivat shqiptare gjenden dokumente në të cilat mund të lexohet se si kryespiuni kinez Kang Sheng ankohet për disa mashtrues venezuelas, të cilët ia kishin mbathur me 300 mijë dollarë, që Kina i kishte dërguar në Shqipëri.

3/ Ëndrra që s’u bë realitet

Mao kishte një ëndërr: të sundonte botën. Ai këtë e quante unifikim të botës. Në këtë mision, thoshte ai, kishin dështuar mongolët, romakët, Leka (Aleksandri) i Madh, Napoloni, Mbretëria Britanike, Hitleri, pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik. “Sipas mendimit tim bota mund të unifikohet”, i tha Mao një prijësi të maoistëve australianë. Kur kjo politikë nuk rezultoi me sukses, përkundër përpjekjeve për të përhapur kultin e Maos në mbarë botën, Pekini ashpërsoi raportet me shumicën e vendeve me të cilat mbante lidhje diplomatike. U sulmuan ambasadat e Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe, Indonezisë, Indisë, Birmanisë dhe Mongolisë. U ndëshkua edhe Koreja e Veriut, e cila nuk i nënshtrohej tutelës kineze. Në janar 1967 shefi për operacione në botën e jashtme, Kang Sheng, i tha një delegacioni shqiptar: “Kim Il Sungu duhet të rrëzohet në mënyrë që të ndryshojë gjendja në Kore”.

Në këtë situatë të acaruar edhe komunistëve shqiptarë u hipi sikleti. Kur kryeministri shqiptar Mehmet Shehu dhe kolegu i tij Ramiz Alia, pas një udhëtimi nëpër Kinë, u kthyen në Pekin, Mao i përshëndeti me pyetjen: “Ju rrahu kush?” Kina investoi në disa degë të industrisë në Shqipëri, por pa ndonjë sukses të madh. Më 1972 pala kineze i paralajmëroi shqiptarët të mos fluturojnë me avionët MiG-19, të prodhuar në Kinë. Shumë ndihma qenë jocilësore apo ideologjike.

Kur Kina ndërroi pak kursin politik dhe u afrua me Amerikën, Enver Hoxha u zemërua. Flirti me Uashingtonin ia uli prestigjin Mao Ce Dunit në botën komuniste. Në një bisedë me besnikët e tij, Mao tha: “Emri im viteve të fundit ka pësuar dëm. Marksi i vetëm në këtë botë, fanari i vetëm, tash gjendet në Europë. Atje (Mao e kishte fjalën për shqiptarët, të cilët e kishin mallkuar për shkak të afrimit me Richard Nixonin) madje edhe pordhat e tyre konsiderohen parfum dhe trajtohen si edikte perandorake… Unë për ta tani jam një oportunist që ka devijuar në krahun e djathtë”. Nga viti 1978 Shqipëria mbeti vetëm në betejën për të mbrojtur dhe përhapur komunizmin origjinal shqiptar. Një komunizëm që vriste e grinte njerëz.

*Dialogplus