Me një sezon perfekt deri më tani, ku nuk është mposhtur asnjëherë në Serinë A dhe siguroi vendin e parë të grupit në Champions, Juventus tashmë ka filluar të mendojë për merkaton.
Jo për atë të janarit, që nis brenda pak ditësh, por për merkaton e verës. Emri i parë në listën e Fabio Paraticit është Aaron Ramsey, të cilit i skadon kontrata qershorin e ardhshëm.
Një transferim, i cili nuk do të ketë asnjë kosto për kartonin e lojtarit, por vetëm komisionet dhe rrogën që do t’i caktohet mesfushorit uellsian. Ramsey është një emër mjaft i lakuar për merkaton, duke qenë se është kërkuar nga disa klube angleze, por dhe Milani në kampionatin italian.
Një tjetër emër për mesfushën e bardhezinjve është ai i Iscos. Lojtari i Realit është një emër i cili ndiqet prej kohësh nga “Zonja e Vjetër” dhe aktualisht nuk po kalon një periudhë të mirë tek ekipi merengues.
Kjo vjen për shkak të mosaktivizimit, që nga ardhja e trajnerit të ri Santiago Solari, i ardhur pas pushimit nga puna të Julen Lopeteguit. Gjithsesi, për Iscon konkurrenca është shumë e lartë nga skuadrat më të mira evropiane, mbi të gjitha Manchester City, ku Pep Guardiola kurrë nuk e ka fshehur admirimin për futbollistin.
Madje, “Citizens” janë të gatshëm për të paguar rreth 80 milionë euro për kartonin e spanjollit, i cili do të shtonte akoma më shumë cilësinë në mesfushë. Megjithatë, interesimi i Juves për Iscon mbetet i lartë dhe bardhezinjtë do të kërkojnë të kryejnë një marrëveshje, njësoj si me Cristiano Ronaldon.