Hap pas hapi, pa nxitim. Sepse Juventusi është i tillë. Prandaj nuk është për t’u habitur që Paulo Dybala ta konsolidojë “martesën” e tij me “Zonjën e Vjetër” në muajt në vazhdim. Gjërat kanë ndryshuar tërësisht. Verën e kaluar ishte me “valixhe gati”, ndërsa tani pranë firmës për të rinovuar në Torino. Manchester United ishte gati të jepte Romelu Lukaku për të siguruar argjentinasin, por nuk qe e thënë. Për fat të mirë për Interin, që mori golashënuesin belg, por edhe vetë Juventusin, që tani po shijon klasin e një kampioni të rifituar nga trajneri Sarri, shkëmbimi nuk u bë verën e vitit që shkoi.
Trajneri bardhezi besoi menjëherë te “Joya”, sa nisi ta sponsorizojë atë publikisht. Pastaj foli fusha, “mbretëria” sovrane, në të cilën Dybala, këtë sezon, ka luajtur 23 herë është provuar të jetë top-lojtar absolut: 9 gola dhe 6 asiste. Për më tepër, me 26 vite mbi supe, duket se nuk ka mungesë hapësire për përmirësim. Përtej moduleve, përtej skemave, “10” e Juventusit ka rikuperuar pozicionin në një ekip që, gabimisht, në verën e kaluar mendoi se mund të bënte pa të. Diçka e gabuar dhe kjo po demonstrohet nga ngjarjet aktuale.
Tani është fjala për drejtuesit e bardhezinjve. Aktualisht, kontrata e argjentinasit skadon më 2022, teksa paga që merr ai është 7 milionë euro (neto) në sezon. Me rinovimin e marrëveshjes, Dybala parashikohet të fitojë 10 milionë euro në sezon. Në fund të fundit, një normalitet i pastër. Duke marrë parasysh se si do të ishte garantuar kjo shifër nga “banka e kuqe” e Manchesterit.
Pas “blindimit” të Bonucci dhe Cuadrado, edhe me Szczesny në rrugën e rinovimit, Juventusi planifikon një tjetër “tym të bardhë”. Në të vërtetë, bardhë e zi. Të kërkuar dhe të dëshiruar nga të gjithë ata që kanë kuptuar se verën e kaluar mund të kishin bërë një gabim të madh me largimin e argjentinasit. Me pak fjalë, është realisht dashuri e vërtetë…