Juventusi likuidon njëra pas tjetrës të gjitha skuadrat “big” të Serisë A. Radha për t’u gjunjëzuar para fuqisë bardhezi ishte për Romën, që u dorëzua 1-0 në “Allianz Stadium”, pa arritur t’i rrëmbejë pikë “Zonjës së Vjetër” në “fortesën” e saj.
Me 16 fitore nga 17 ndeshjet e para, Zonja e Vjetër ka regjistruar startin më të mirë të historisë së Serie A.
Mjaftoi goli i Mario Mandzukic në pjesën e parë që bardhezinjtë të koleksiononin fitoren e radhës, që i ngjit në kuotën e 49 pikëve në renditjen e përgjithshme, plot 8 pikë më shumë se Napoli i vendin të dytë.
Por të mos ishte për sistemin VAR, ndeshja do të kishte përfunduar me rezultatin 2-0. Në minutën 2-të shtesë, Douglas Costa realizoi golin e dytë i shërbyer nga Cristiano Ronaldo, por pamjet e përsëritura treguan se pati një ndërhyrje të gabuar ndaj një futbollisti verdhekuq para nisjes së kundërsulmit të vendësve. Roma pas javës së 17-të mbetet në kuotën e 24 pikëve dhe parakalohet në klasifikim nga Sassuolo, me një pikë më shumë.
Sa i përket Juventusit, duket po zhvillon një kampionat më vetë pa rivalë, nëse do të vijojë me këtë ritëm mund ta mbyll kampionatin me më shumë se 100 pikë të grumbulluara.