E pabesueshme ajo që ka ndodhur në CONCACAF League, turneun e Amerikës Qendrore, i barazvlefshëm me Europa League në Kontinentin e Vjetër. Në ndeshjen e 1/8 ndërmjet Inter Suriname dhe Olimpia nga Hondurasi, debutoi si profesionist në ndeshjet ndërkombëtare Ronnie Brunswijk.
Asgjë e çuditshme nëse nuk do të bëhej fjalë për zëvendëspresidentin e Surinamit, i cili në moshën 60 vjeç e 198 ditë bëhet edhe futbollisti me moshën më të madhe që luan një ndeshje zyrtare për klube.
Ai u aktivizua si titullar, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit, teksa luante përkrah të birit Damian, i cili është numri 10 i ekipit. I lindur më 7 mars 1961, ai është edhe më i vjetër se vetë turneu i CONCACAF League, i cili u themelua më 18 shtator të të njëjtit vit. Brunswijk është edhe pronari i skuadrës së Inter Surinam.
Përpos moshës dhe statusit që mban, zëvendëspresidenti i shtetit amerikano qendror është i kërkuar nga Interpoli. Shkak janë akuzat që lidhen me trafikun ndërkombëtar të substancave narkotike. Gjithashtu Brunswijk ka qenë edhe luftëtar në vendin e tij, përveçse mendohet që ka edhe 50 fëmijë.
Ndeshja përfundoi me rezultatin 6-0 për miqtë nga Hondurasi e duke qenë se nuk mund të udhëtojë për sfidën e kthimit, Ronnie Brunswijk takoi lojtarët kundërshtarë, të cilëve u shpërndau edhe një çantë plotë me para. Ngjarje të paimagjinueshme, ashtu si debutimi në futbollin profesionist në moshën 60-vjeçare.