Që prej një viti në Kanada kanabisi mund të blihet dhe të konsumohet legalisht. Për shumë sipërmarrje, kjo u konsiderua si një biznes fitimprurës. Por ende ky biznes po has në probleme.
“Hello Cannabis” nga jashtë bën reklamë me një “Hello” të thjeshtë poshtë një simboli Smiley. Gati një orë me makinë larg Torontos në Hamilton shitet legalisht kabanisi. Ndryshe nga të ashtuquajturat Coffee-Shops në Holandë në dyqanet kanadeze, kanabisi vetëm shitet, por nuk konsumohet. 400 deri në 700 vetë nga të gjitha grupmoshat e vizitojnë për ditë dyqanin, thotë menaxheri Oliver Coppolino. “Personeli shërben me tablet për t’u shpjeguar klientëve ofertën”, thotë ai.
Dyqani i tij është njëri ndër 50 gjithsej në të gjithë shtetin federal të Ontarios. Kësisoj një dyqan është në dispozicion të 300.000 banorëve, në fakt ky duhej të ishte biznes fitimprurës. “Kërkesa për produktet e kanabisit është e madhe. Ne kemi një problem me furnizimin. Produktet më të mira në të shumtën e rasteve shiten shumë shpejt”, thotë Coppolino.
Që në vitin 2001 përdorimi i kanabisit është i lejuar për qëllime mjekësore. Nga tetori i vitit të kaluar Kanadaja është vendi i parë industrial që ka lejuar legalisht edhe konsumin privat të kanabisit. Përdorimi është i kufizuar në 30 gram për person. Edhe më parë Kanadaja ishte vendi me konsumin më të lartë për frymë të marihuanës në mbarë botën. Tregu ilegal llogaritet me një xhiro prej rreth katër miliardë euro.
“Në këtë degë të tregtisë mbizotëron mentaliteti i etheve të arit. E gjithë bursa është bërë si e marrë pas kanabisit”, shpjegon Mark Rendell. Gazetari ekonomik prej një viti e gjysmë hulumton degën e kanabisit në Kanada dhe raporton për gazetën “The Globe and the Mail”. “Nuk ndodh shpesh që ne të jemi kryesues në ndonjë degë. Por për shkak të legalizimit tek në tani është shumë më e lehtë se në vende të tjera që të financosh kanabisin përmes bankave dhe në bursë”, thotë Mark Rendell.
Që para legalizimit një sërë ndërmarrjesh u futën në bursë dhe kësisoj grumbulluan para. Kjo ishte për një kohë të gjatë një sipërmarrje me rrezik, sepse në qershor 2018 legalizimi ishte vetëm një premtim që kryeministri Justin Trudeau u bëri zgjedhësve. Në fund u arrit një kompromis mes shumë forcave politike. Kjo vërehet tani edhe në ligj. Është qeveria qendrore që vendos në kryeqytetin Otava për licencat e prodhimit për sipërmarrjet – qeveritë e krahinave nga ana tjetër vendosin për formën e shitjes së lejueshme të kanabisit. E në këtë mënyrë disa krahina janë më të suksesshme se të tjerat.
Në Ontario autoritetet kanë pritur shumë gjatë për dhënien e licencave për dyqanet e kanabisit, vë në dukje gazetari Rendell. Por edhe me licencat për prodhimin ka ngecje. Këtyre u shtohet edhe fakti, që sipërmarrjet me licencë nuk furnizojnë atë që kanë premtuar. “Ato ndërtojnë sera gjigante kultivimi, por kanabisi asnjëherë nuk është kultivuar kështu, ndaj ka rreziqe. Një ndër to është mungesa e të korrave dhe problemet e cilësisë”, shpjegon Rendell.
Sipas të dhënave të fundit të autoritetit kanadez të statistikave deri tani është legalizuar vetëm 20 përqind e tregut ilegal. Disa qindra ndërmarrje ndodhen aktualisht në listën e pritjes për një licencë për kultivimin.
Nisur nga legalizimi në Kanada gazetari Mark Rendell është i zhgënjyer prej prodhuesve. “Shumë prej tyre kanë premtuar në mënyrë të ekzagjeruar për të grumbulluar para prej depozituesve, shumë kanë publikuar deklarata të njëpasnjëshme shtypi. “Por më pas shoku ishte i madh, kur doli qartë në pah, se sa pak mund të realizonin ato nga premtimet e dhëna.” Ai parashikon se do të duhen edhe tre vjet derisa të harmonizohet oferta dhe kërkesa në Kanada.
Për koncernet me orientim ndërkombëtar të kanabisit do të jetë vendimtare, nëse do të ketë sukses legalizimi në Kanada. A do të arrihet që të shmanget tregu ilegal? A do të arrihet që shifrat e konsumit të mos rriten dhe që të rinjtë të mos konsumojnë më kanabis? Nëse po, atëherë parashikimi i Kanadasë do të dalë dhe legalizimi kanadez do të bëhet model. Por një vit pas legalizimit ende nuk mund t’u jepet përgjigje këtyre pyetjeve.
Nicolas Martin/DW