“Kancelarja e klimës” – kështu e quajnë herë pas here kancelaren gjermane Angela Merkel, edhe këto ditë pas reshjeve pothuaj apokaliptike. A është ajo vërtet e tillë? Dhe nëse po, që kur?
Më 30 nëntor 2005, Angela Merkel, që sapo ishte zgjedhur kancelare dha deklaratën e parë qeveritare para parlamentit. Në politikën e brendshme, politikania e kristiandemokratëve u përqëndrua tek politika sociale dhe ajo e punës. Në fushën e politikës së jashtme ajo u morr me kërcënimet nga terrorizmi ndërkombëtar dhe kriminaliteti, si dhe me Europën. Me çështjen e ndryshimit të klimës ajo u morr shkurt në 90 minutat e fjalimit. Tek mbrojtja e klimës, ajo u interesua për shanset e njohurive teknologjike dhe “rolit të Gjermanisë si kampione eksporti”.
Ndërkohë që polikania e Partisë Kristiandemokrate (CDU) ka qenë në vitet 1990-të, katër vjet ministre e Mjedisit. Mbas katër viteve të vështira si ministre e grave dhe e rinisë, papritur kancelari Helmut Kohl e emëroi në vitin 1994 pasardhëse të Klaus Töpferit, në sektorin e ambientit.
Ralph Bollmanni, autor i biografisë 800 faqëshe të botuar në mes të muajit korrik me titull: “Angela Merkel. Kancelarja dhe periudha e saj”, mendon se emërimi i saj nuk ishte hap mbrapaktheu. Merkel nuk ka qenë “pasardhëse e keqe Töpferit”. “Ky ka qenë imazhi që mediat kanë dhënë në atë kohë”, thotë ai për Deutsche Wellen. Gjë të cilës i shtohet prezantimi i saj si e pazararshme, duke e quajtur “çupka e Kohlit”.
Mikpritëse e konferencës së parë të klimës në Berlin
Në fund të marsit 1995, Merkeli u bë mikpritësja e konferencës së parë për klimën që u mbajt në Qendrën e Kongreseve ICC në Berlin, konferencës së parë për klimën të organizuar ndonjëherë. Ndryshe nga konferencat e mëvonshme, aty morën pjesë disa qindra delegatë të ardhur nga e gjithë bota, si dhe shumë vëzhgues. Aty Merkeli, e cila ka studiuar shkencat e natyrës, zbuloi se klima ishte tema e saj.
Bollmanni, redaktor i gazetës “Frankfurter Allgemeinen Sonntagszeitung”, mendon se ato ditë të konferencës në ICC, “kanë qenë momenti vendimtar, ku Merkeli u kthye në politikane të klimës”. Edhe në media ajo u kthye në paralajmëruese të rreziqeve të ndryshimit të klimës.
Dy vjet më vonë Konferenca e Tretë Botërore për klimën e organizuar në Kioto, vendosi objektivat e detyrueshme në nivel ndërkombëtar, për kufizimin e emëtimit të gazrave që shkaktojnë efektin serë. Protokolli i Kiotos, i cili hyri në fuqi më 2005, shihet si momenti historik në mbrojtje të klimës. Edhe sot. Dhe kjo ka ndodhur në periudhën kur Merkeli ishte ministre e Mjedisit.
Paralajmëruese e rreziqeve në skenën ndërkombëtare
E gjithë kjo gjë, nuk dallohet fare në deklaratën e parë qeveritare të bërë nga Merkeli në 2005. Megjithatë shumë shpejt ajo u kthye në “kancelaren e klimës”. Në gjashtëmujorin e parë të 2007-ës, Gjermania mbajti kryesimin e radhës së presidencës së BE, dhe gjatë gjithë vitit mbajti presidencën e G-8. Klima ishte tema kryesore për Merkelin. Në takimin e nivelit të lartë të BE të mbajtur në mars në Berlin, dhe në takimin e nivelit të lartë të G-8 mbajtur në Heiligendamm, u morën vendime të rëndësishme për reduktimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë.
Në gusht 2007 Merkel shkoi në Arktik bashkë me ministrin e Mjedisit, socialdemokratin Sigmar Gabriel. Skena ishte me imazhe të fuqishme që flisnin për ndryshimet që pritet të ndodhin. Disa ditë më vonë, që përkojnë me dhjetëvjetorin e Protokollit të Kiotos, ajo u rikthye në qytetin japonez. Në një kongres të komunitetit ndërkombëtar ajo paralajmëroi për rreziqet e ngrohjes globale: “nëse nuk bëjmë asgjë, atëherë duhet të presim që të ndodhin ndryshime të mëdha të klimës”.
Pak më vonë, kryetarja e qeverisë gjermane foli para Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe kërkoi mbrojtjen e klimës. Kjo është “një detyrë globale që ka të bëjë me të gjithë”, tha Merkel. Kjo deklaratë pati efekte dhe që nga gushti i 2007, mediat filluan ta quajnë Merkelin gjithnjë e më shumë “kancelaren e klimës”.
Prioritet rritja ekonomike
Por kriza ekonomike që u afrua kërkoi vendosjen e prioriteteve të tjera. Dhe krysisht fuqitë e mëdha nuk deshën më të bashkëpunonin për mbrojtjen e klimës, që prej konferenës botërore për klimën të mbajtur më 2009 në Kopenhagen, të cilën SHBA nën presidentin Obama dhe Kina bënë që të dështonte me përplasje të mëdha.
“Kështu kushtet u përkeqësuan shumë,” thotë Bollmann: “Shumë vende vendosën si prioritet që të arrinin rritjen ekonomike me çdo kusht”. Për një kohë të gjatë në mbrojtjen e klimës nuk u arrit më asgjë në nivel ndërkombëtar.
Po brenda vendit? “Bilanci nuk është dhe aq i mirë”, thotë Bollmann. “Kancelarja nuk morri asnjë hap që mund t‘i dëmtonte bazën e pushtetit ose që të shkaktonte ndonjë shok ekonomik.” Gjatë debateve të Brukselit për vendosjen e vlerave kufizuese të gazrave që shkaktojnë efektin serë, Merkeli mbrojti gjithnjë industrinë gjermane të automjeteve: “Megjithëse ajo inatosej me mungesën e gatishmërisë për ndryshime të manaxherëve gjermanë, sidomos në koncernet e automjeteve”
Heqja dorë nga energjia atomike
Kështu pas shumë viteve të Merkelit në zyrën e kancelarisë, qeveria gjermane dhe Unioni i kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve u vendosën nën presion të madh për temën e mbrojtjes së ambientit dhe klimës. Kjo gjë nuk arriti të fshihej as nga heqja dorë më 2011 prej përdorimit të energjisë atomike, pak kohë pas katastrofës nukleare të ndodhur Fukushimën japoneze. Sepse ky hap nuk u ndoq nga ndonjë koncept i madh.
Një gjë e tillë u bë e qartë si kurrë më parë në fund të prillit 2021, kur Gjykata Kushtetuese gjermane e vlerësoi ligjin për mbrojtjen e klimës të vendosur dy vite më parë, si ligj pjesërisht jo në përputhje me Kushtetutën dhe e detyroi parlamentin të bëjë përmirësime të tij. Argumenti i dhënë nga Gjykatësi i Lartë: Ligji i zhvendos rreziqet e ndryshimit të klimës në kurriz të brezave të rinj, duke pasur si referencë vitin 2030.
Ligji për mbrojtjen e klimës është i vitit 2019, pra i vitit në të cilin filluan demonstratat e mëdha “Të premtet e të ardhmes” “Fridays for future”- lëvizja për më shumë mbrojtje të klimës. Ato u organizuan shpesh duke kaluar nga zyra e kancelarisë.
Kritika ndaj politikës së klimës në vend
Sipas pikëpamjes së shumë kritikëve, Gjermania bën pak për reduktimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë, nuk mbështetet sa duhet tek energjia diellore dhe ajo e erës, dhe e ka vendosur shumë vonë afatin për mospërdorimin e qymyrit, duke e vendosur në vitin 2038. Ndryshe nga shumë shtete të tjera, në Gjermani nuk ka kufizime shpejtësie në austrada, gjë për të cilën përpiqen shumë Unioni i Kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve. Po ashtu, si dhe më parë për ndërtimin e rrugëve vazhdojnë të jepen më shumë para se sa për mjetet publike të transportit.
Shefja e Greenpeace, Jennifer Morgan bëri në pranverë një bilanc të viteve të Merkelit. Ajo tha në Berlin se: “Mbas 16 vitesh në post, Gjermania nuk arriti vërtet tek mbrojtja e klimës dhe pati përparime në vendosjen e drejtësisë për klimën, gjë e cila i duhet planetit vërtet”. Ndodh rrallë që Greenpeace dhe Gjykata Kushtetuese të jenë kaq afër në pikëpamje: Mungon një plan, për të arritur vërtet deri në vitin 2050 neutralitetin e synuar ndaj klimës.
Po tani? Deklaratën mbase të fundit qeveritare, Merkeli e mbajti para parlamentit më 24. qershor. Është e qartë, që pandemia e Coronës është tema dominante. Por në fjalimin 19 minutësh, Merkeli foli papritur shumë për ndryshimin e klimës. Ajo foli për “rinovimin e gjelbërt” dhe digjitalizimin. Vetëm “me ekonominë e gjelbërt” Europa “është e aftë për të përballuar të ardhmen dhe konkurencën”.
Ajo foli me detaje dhe qartë për mbrojtjen e klimës: “Kemi të bëjmë me as më pak as më shumë, por me të ardhmen e planetit tonë.” Merkeli foli për investimet gjermane në këtë fushë dhe për besueshmërinë e vendit. Konferenca e ardhshme botërore për klimën që do të mbahet në nëntor në Glasgow, do të tregojë “deri ku kemi shkuar me detyrimet tona”. Fraksioni i Unionit Kristiandemokrat –Kristiansocial e festoi fjalimin e saj.
Është ajo shumë e fortë, apo ai shumë i dobët?
Është Merkeli, kancelarja e klimës shumë e angazhuar në këtë temë, apo janë politikanët e tjerë pak të angazhuar? Të dyja bashkë, thotë biografi Ralf Bollmann. Në situatën aktuale “bëhen shumë të qarta” dobësitë e të tjerëve. Dhe Bollman flet për kandidatin për kancelar të kristiandemokratëve, Armin Laschet, i cili nuk “bën figurë të mirë” dhe reagon jo si duhet për temën e klimës.
Por Bollman sheh edhe një aspekt tjetër. Merkeli, e cila nuk dëshiron të zgjidhet sërish dhe nuk do i duhet të merret me zbatimin praktik të vendimeve, mund të bëhet aktualisht për temën e klimës “edhe më retorike”./DW