Policia e Durrësit ka dhënë njoftim zyrtar në lidhje me sasinë e drogës e kapur në orët e vona të së hënës në port.
Autoritetet kanë arritur që të sekuestrojnë 45 kilogramë e 500 gramë heroinë ndërsa në pranga janë vënë 2 persona, pronari i mjetit ku u gjet droga, Arian Çerma dhe shoferi Olgert Duda.
Sasia e heroinës ishte fshehur në kabinën e kamionit të ngarkuar me krom. Droga ishte ndarë në 43 pako të mbështjella me natriban dhe destinacion kishte Italinë.
“Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: O. D., 36 vjeç, banues në Fier dhe A. Ç., 45 vjeç, banues në Durrës. Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e grumbulluara, ka ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionët në hyrje dhe në dalje. Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë, në kamionin tip “Scania” në pronësi të shtetasit A. Ç., që drejtohej nga shtetasi O. D. dhe i ngarkuar me krom, me destinacion shtetin italian, me konkretisht në kabinën e kamionit, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotike”, kryer në bashkëpunim.