Aktualitet Mbi 370 persona të helmuar në Krujë, shkak kontaminimi i ujit

Mbi 370 persona të helmuar në Krujë, shkak kontaminimi i ujit

Të paktën 370 qytetarë, nga të cilët 70 të mitur janë paraqitur me simptoma helmimi në urgjencën e spitalit Klinik të Krujës “Stefan Gjoni” gjatë dy ditëve të fundit.

Të helmuarit kanë shfaqur kryesisht dhimbje barku, diarre, të vjella dhe temperaturë. Në 24 orët e fundit në Krujë është ndërprerë uji i pijshëm i çezmës.

Ujësjellësi i Krujës thotë se nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike dyshohet se reshjet e dendura të shiut gjatë fundjavës kanë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm me amoniak mbi normë.

Dyshimi mbetet paraprak pasi sipas UKK Krujë mbetën në pritje të analizave mikrobiologjike nga ISHP, të cilat do të japin të dhëna më të detajuara të normave të komponentëve të ujit.

“73 vjeç jam unë nuk e kam dëgjuar njëherë një gjë të tillë këtu. Që dje e kemi ndërprerë, kemi shkuar kemi blerë ujë se thanë është i helmuar uji”, tregon një qytetar.

Prefekti i Durrësit, Roland Nasto, ka bërë me dije se për banorët do të shpërndahet ujë falas pas kësaj situate.

“Të gjithë banorët do marrin ujë të pijshëm. Do shpërndahet me autobot dhe koli”, deklaron ai.

Ministrja e Shëndetësisë tha se po analizohen mostrat e ujit të pijshëm dhe ushqimeve.

“Janë një seri pistash të cilat janë duke u investiguar. Rezultati i analizave ka një afat të përcaktuar, nga 24 në 72 orë”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.

Pjesa më e madhe e qytetarëve kanë marrë mjekim dhe janë larguar nga spitali. Rreth 30 pacientët e shtruar janë jashtë rrezikut për jetën. Për zbardhjen e plotë të shkaqeve po heton edhe prokuroria e Krujës.

Për këtë ngjarje ka reaguar presidenti Ilir Meta, i cili kërkon hetim dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse. Ai tha se është i shqetësuar nga kjo “situatë alarmante”.