Pandemia e koronavirusit dhe shtyrja e Lojërave Olimpike të Tokios për vitin e ardhshëm i kanë prishur disi planet e kampiones shqiptare, Luiza Gega, e 9-ta në botë në kampionatin e Dohas. Atletja e garave të gjata është bllokuar në Kenia, ku stërvitet shpesh para aktiviteteve të rëndësishme. Nuk mund të kthehet për shkak të bllokimit të fluturimeve, por është një situatë që për momentin i leverdis, sepse mbyllja brenda për dy javë pas rikthimit në Shqipëri, do t’i prishte shumë punë.
Luiza Gega tregon gjithçka me detaje për Gazeta Si: “Jam ende në Kenia dhe nuk e di fiks kur mund të kthehem, sepse janë bllokuar fluturimet për momentin. Po pres të hapen që të kthehem. Ndodhem këtu që më datë 17 mars, bashkë me trajnerin Taulant Stërmasi. E kemi biseduar si rast edhe në Shqipëri, por duhet të hapen fluturimet në Kenia si fillim, të afrohemi në Europë dhe pastaj të vijmë në Shqipëri”, – thotë fillimisht kampionia e 3000 metrave me pengesa, e kualifikuar me normë për në Olimpiadë.
“Gjithsesi, – vazhdon më tej Gega, – nuk po nxitohem, sepse edhe po u ktheva, duhet të qëndroj dy javë e mbyllur dhe kjo gjë më prish shumë punë për stërvitjen. Për momentin jam më mirë këtu, por nuk mund të qëndroj shumë gjatë, sepse sa më shumë të rri, aq më shumë shpenzime kam. Prandaj, e kam të vështirë të rri gjatë. Një pjesë të shpenzimeve ma mbulon Komiteti Olimpik dhe për një pjesë më ka ndihmuar Bashkia e Tiranës për këtë grumbullim. Erdha për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike, por një javë pasi erdha, u vendos për shtyrjen e tyre për në vitin 2021. E kisha planifikuar muaj më parë këtë stërvitje, kisha prerë edhe biletën dhe kisha mbyllur akomodimin.
Nuk shkuan gjërat siç duhet dhe pastaj s’u ktheva dot më, sepse u mbyll çdo gjë. Desha, s’desha, duhet të qëndroja këtu. Edhe këtu janë mbyllur stadiumet dhe palestrat, nuk i kemi gjërat shumë komode, por vrapoj në rrugë, është edhe një fushë dheu, ku bëj disa nga stërvitjet. Bëj dhe disa ushtrime me një pengesë të improvizuar. Këtu lejohet të vraposh jashtë, thjesht nuk lejohet të vraposh me të tjerë. Jam në një fshat që quhet Iten, 30 minuta larg qytetit Eldored. Do pres deri në fund të muajit. Arsyeja pse s’po nxitoj është sepse më prish shumë punë qëndrimi për dy javë mbyllur”.
Luiza Gega gëzonte një formë shumë të mirë dhe përveçse duhet ta ruajë këtë formë edhe për një vit, i duhet sërish mbështetje për grumbullime të tjera deri sa të vijë Olimpiada: “I kisha gjërat shumë komode, duke qenë se isha kualifikuar dhe çdo gjë po shkonte shumë mirë, që nga stërvitja. Isha shumë optimiste. Problemi është që ne çdo gjë e kemi te mbështetja financiare që na duhet për grumbullimet. Sepse nuk është e lehtë qoftë të kapësh normën, apo edhe të mbash performancë të lartë. Pa grumbullime të vazhdueshme, është e vështirë.
Nuk e di se sa do të kemi mbështetje për këto që thashë, sepse është edhe një vit më shumë. Problemi im më i madh qëndron te kjo pjesë. Norma mbetet në fuqi, gjithsesi në çdo garë që bëj, e rikonfirmoj me rezultatin që arrij përsëri normën. Por edhe sikur mos të bëj asnjë garë, le të themi, norma që kam është në fuqi. Ata që nuk e kanë arritur normën, ju krijohet mundësia për ta kapur në dhjetor. Pra, këto muaj edhe sikur të bëhen gara dhe ta arrijnë normën, nuk ju quhet. Kjo është situata”.
Pse në Kenia?
E shpjegon vetë atletja: “Të gjithë e dimë që sa më lart mbi nivelin e detit të ngjitemi, oksigjeni është më i ulët. Sportistët e distancave të gjata, ku futet edhe disiplina që unë bëj, është shumë mirë të stërviten në lartësi mbi 1800 deri në 3000 metra mbi nivelin e detit. Përveç faktit që stërviten më në vështirësi, pasi ka mungesë oksigjeni, është edhe që trupi i tyre në mënyrë natyrale rrit parametrat biologjikë, siç janë rruazat e kuqe, hemoglobina, hematokriti.
Dhe kur këta sportistë bëjnë gara kryesisht në nivel deti apo pak mbi nivelin e detit, kanë një performancë shumë më të mirë dhe marrin rezultate më të mira. Këtë bëjnë gjithë sportistët e niveleve të larta për t’u rritur në rezultate, apo për të mbajtur një performancë të lartë. Kjo është arsyeja pse e kam kaq të rëndësishme stërvitjen në lartësi. Arsyeja pse vij shpesh në Kenia është se përveçse këtu ku jam është 2400 metra mbi nivelin e detit, është edhe ngrohtë. Gjithmonë vij në periudhën e dimrit për këto dy arsye”./Gazeta Si