Nga Klodian Tomorri
Përmes një vendimi të paligjshëm e madje edhe kriminal, Urdhri i Stomatologëve ka fiksuar çmimet e shërbimeve dentare në të gjithë vendin.
Vendimi i marrë nga Asambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar i Stomatologëve përcakton çmimet për çdo shërbim dentar, të cilat sipas tij janë të detyrueshme për çdo dentist në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Çmenduria arrin deri aty sa që vendimi është publikuar në faqen zyrtare të Urdhrit me firmën e presidentit, ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste.
Urdhri i Stomatologëve është një ent publik, që funksionon në bazë të ligjit nr 127 i vitit 2014. Në asnjë nen të ligjit, nuk i jepet tagër urdhrit të fiksojë çmimet e shërbimeve dentare. Dhe nuk ka se si t’i jepet, sepse caktimi i çmimeve është i jashtëligjshëm.
Në vendimin e ri të Urdhrit, çmimet e shërbimeve dentare janë rritur të gjitha deri në dy herë. Por nuk është ky problemi. Ky vendim është forma më e rëndë e shkeljes së konkurrencës, karteli. Ne kemi një Ligj për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili në nenin 4 thotë se marrëveshjet kartel janë kategorikisht të ndaluara.
Në fakt ligji, nuk është aq i fortë sa duhet. Në rastin e karteleve, ligji parashikon gjobë deri në 10 për qind e xhiros. Por në vendet e zhvilluara, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kartelet janë vepër penale.
Nëse ky vendim do të ishte marrë në Shtetet e Bashkuara, të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare dhe Këshillit Kombëtar të Stomatologëve që kanë marrë atë vendim, sot do ishin të gjithë në pranga. Të neveritshëm.