Jani Alia, Katan Bahoja dhe Florenc Tresa, janë tre personat që sot kanë marrë në dorëzim formularin e OFL-së, për të deklaruar pasurinë e tyre.
Tre eksponentët e krimit, kanë 48 orë afat për të dorëzuar formularin, ku duhet të tregojnë pasurinë dhe më pas procedura do të ndiqet nga SPAK.
Jani Aliaj është konsideruar si një nga individët më të rrezikshëm në Shqipëri, i përfshirë në një sërë krimesh. Ai ka qenë drejtues i një organizate të strukturuar kriminale për trafikimin e drogës.
Por Aliaj rezulton edhe autor në disa krime të rënda, më e bujshmja është vrasja e Elton Çiços në zonën e ish-Bllokut.
Edhe pse i dënuar me burg të përjetshëm, Aliaj nuk ka bërë asnjë ditë burg, pasi është ende në kërkim.
Ndërkohë, Katan Bahoja, nga Gjirokastra, është arrestuar nga autoritetet greke, për trafik të lëndëve narkotike.
Gjithashtu Florenc Tresa, është i dënuar nga Gjykata e Tiranës për drogë. Ai akuzohet si një nga personat që kaluan kamionin me 8 ton drogë në vitin 2017 nga Porti i Durrësit, sasi që u sekuestrua nga Policia e Napolit.
OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.