Shëndet Ndaloni puthjet për të shmangur koronavirusin dhe mbani distancë dy metra nga...

Ndaloni puthjet për të shmangur koronavirusin dhe mbani distancë dy metra nga personat e tjerë

Presidenti i Institutit të Lartë italian të Shëndetit, Silvio Brusaferro këshilloi njerëzit të ndalojnë përqafimet si edhe përshëndetjen tradicionale italiane të puthjes në faqe, si pjesë e përpjekjes për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

”Për momentin, përqafimet duhet të pezullohen gjatë ndërveprimeve sociale”, tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se njerëzit duhet të lajnë shpesh duart, të shmangin vendet e mbushura plot dhe të mbajnë distancë një deri në dy metra.

Ata me probleme të frymëmarrjes këshillohet të qëndrojnë në shtëpi.

“Duhet të punojmë për vendin duke qëndruar brenda rregullave dhe duke u përshtatur me stile jetese që ndalojnë shtigjet klasike të transmetimit”, deklaroi Brusaferro.

“Në Itali janë regjistruar 79 viktima dhe janë infektuar rreth 2 263 të tjerë”, theksoi komisioneri i urgjencës dhe shefi i mbrojtjes civile, Angelo Borrelli.

Ai shtoi se janë shëruar rreth 160 persona.