Bota Katër liderë firmosin “Turkish Stream” në Stamboll

Katër liderë firmosin “Turkish Stream” në Stamboll

U inaugurua në Stamboll e ashtuquajtura “Rrjedha Turke”, që sipas ministrit vendas të Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez, ishte një projekt vizionar dhe një simbol i bashkëpunimit turko-rus.

Në ceremoni morën pjesë Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, homologu i tij rus Vladimir Putin, si dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e Kryeministri bullgar Bojko Borisov.

“Ky është një projekt që është i dobishëm për Turqinë, Rusinë dhe miliona njerëz në Evropë sepse kontribuon në stabilitetin në rajon dhe në tregun e energjisë”, tha Donmez.

Ministri rus i energjisë. Aleksandër Novak theksoi se Rrjedha Turke do t’i afrojë vendet partnere me projektin.

“Ky është një projekt pionier dhe unik. Ai jo vetëm që do të sigurojë tregun turk të energjisë, por edhe jugun dhe juglindjen e Evropës”, tha Novak.

Rrjedha Turke është një megaprojekt i përbërë nga dy krahë të një tubacioni që do të dërgojë gazin rus në Turqi dhe përmes tij në Evropë. Të dy krahët kanë një kapacitet prej 15,75 miliardë metra kub secili. Njëri krah do të furnizojë Turqinë me gaz rus dhe tjetra do të transportojë gaz në Evropë.