168 persona kanë rezultuar të infektuar me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 102 pacientë janë shëruar, duke e çuar në total numrin e persona të shëruar në 4633.
“Nga totali i testimeve, 168 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 76 raste në Tiranë, 15 raste në Lezhë, 13 raste në Krujë, 7 raste në Korçë, 6 raste në Kavajë, 5 raste në Shkodër, Durrës, Kurbin, Lushnje, 4 raste në Fier, Elbasan, Berat, Gjirokastër, 2 raste në Vlorë, Kamëz, Selenicë, Klos dhe nga 1 rast në Devoll, Mirditë, Librazhd, Mat, Pogradec, Malësi e Madhe, Kolonjë”, deklaroi Dr. Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik.
Ndërsa 4 persona kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes së koronavirusit. Viktimat janë një 55-vjeçare nga Tirana, një 62-vjeçar nga Lezha, një 63-vjeçar nga Librazhdi dhe një 85-vjeçar nga Elbasani.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 164 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 14 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 39 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me COVID19, në dy spitalet COVID po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.