Keidi Bare synon të shfaqë potencialin e tij të vërtetë te Malaga, ku u transferua nga Atletico Madrid. Ai preferoi më mirë ligën e dytë spanjolle, vetëm që të aktivizohej.
Në një intervistë për “AS”, fieraku kuqezi ka nënvizuar mes të tjerash: “Nuk e prisja një fillim të tillë. Erdha për të ndihmuar skuadrën, por po luaj titullar. Falënderoj stafin teknik dhe kolegët, sepse më ndihmojnë gjithmonë. Çdo lojtar do të donte të ishte aty, ku jam tani. Është një ëndërr e përmbushur, por ende kam gjëra për të bërë. Unë nuk jam i kënaqur.
Si u krijua mundësia për te Malaga? Menaxheri im më njoftoi dhe i thashë “po” që në fillim. E kisha shumë të qartë. Unë jam një djalë i ri, dua të bëj gjëra pozitive në jetë. Kam nënshkruar për tri vite me Malaga. E shoh veten këtu për shumë vite, por së pari duhet të punoj mirë.
Roli im? Kam luajtur në shumë pozicione, ku më kanë aktivizuar trajnerët. Me të rinjtë e Atlético Madridit kam bërë edhe portierin. Madje, në këtë rol kam marrë edhe një karton të kuq. Dhe e fituam atë lojë. Kam luajtur si mesfushor qendre, në krahun e djathtë, në të majtë.
Cilin kam referencë në pozicionin tim? Modric, Iniesta…, janë shumë lojtarë. Spanjishten e kam mësuar nga miqtë e mi tek Atlético Madrid. Duke folur me ta, edhe në rrugë. Ky ishte çelësi. Dhe duke parë filma. Pse nuk ka shumë shqiptarë në Spanjë? Luan Rey Manaj tek Albacete, i cili është shoku im më i mirë.
Ai është një lojtar shumë i mirë. Ishte te Granada dhe tani po bën shumë mirë. Rey Manaj është lojtari më i mirë në Shqipëri. E kam shumë të qartë! Ai është një lojtar i madh për ekipin.
Me Giani Di Biassi, Shqipëria shkoi në Kampionatin Europian. Shqiptarët u çmendën! Ishte diçka që nuk kishte ndodhur kurrë. Çfarë bëj në kohën e lirë? Përqendrohem vetëm te futbolli. Më pëlqen kinemaja dhe shkoj pothuajse gjithmonë.
Pasdite nuk qëndroj kurrë në shtëpi. Stërviten me babanë tim. Ai ka luajtur futboll në Shqipëri. Njerëzit thonë se ishte i mirë, edhe pse unë e kam parë shumë pak, sepse isha i vogël”.