Politika Këlliçi, apel rinisë: Mos ikni, votoni dhe ndryshoni të ardhmen e Tiranës

Këlliçi, apel rinisë: Mos ikni, votoni dhe ndryshoni të ardhmen e Tiranës

Kandidati për Bashkinë e Tiranës i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, votoi në orën 08:30 në Shkollën “Dora d’Istria”.

Pasi hodhi votën, Këlliçi u ndal para gazetarëve dhe u bëri apel qytetarëve që të votojnë për të ndryshuar të ardhmen e kryeqytetit.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të shkojnë në qendrat e tyre të votimit për të kryer detyrën e tyre qytetare. Ftoj të gjithë të rinjtë, të gjithë ata qytetarë që kam takuar këto muaj dhe kam folur për ndryshimin. Sot është dita e madhe, është dita ku keni në dorë fatin e këtij qyteti. Kam apel për rininë, për naçut e Tiranës, për të gjithë ata që mendojnë se duhet të ikin nga ky qytet. I them “JO”! Hajdeni të votoni dhe bashkë të ndryshojmë të ardhmen e qytetit tonë. Për të gjithë abuzimet që kemi parë këto 8 vite dhe shpresat që janë shuar, dilni dhe votoni! Nuk ua kontrollon dot njeri votën. Votoni me ndërgjeje të pastër dhe votoni për 4 vitet e ardhshme”, tha Këlliçi.