Kryesore Shqipëria voton sot për 61 kryebashkiakët e rinj

Shqipëria voton sot për 61 kryebashkiakët e rinj

Në orën 07.00 ka nisur procesi i votimit në Shqipëri për të zgjedhur drejtuesit e 61 bashkive të vendit. Në garë janë 144 kandidatë, ndërkohë që 23.700 të tjerë konkurrojnë për të qenë pjesë e këshillave bashkiakë.

Lista e votuesve për zgjedhjet përmban mbi 3 milionë e 650 mijë zgjedhës, ku përfshihen edhe emigrantët shqiptarë, të cilët ende nuk mund të votojnë nga vendet ku banojnë. Duke mbajtur parasysh numrin e lartë të tyre, votuesit realë në zgjedhje mund të përllogariten diku te 30-40 për qind më pak.

Pas bojkotit të zgjedhjeve të vitit 2019 nga opozita, votimet e sotme rikthejnë garën normale për drejtuesit e 61 bashkive të vendit, për të cilat konkurrojnë 144 kandidatë nga 40 parti dhe koalicione, përfshirë dy kandidatë të pavarur. Ndërsa për 1603 pozicionet e anëtarit të Këshillave bashkiakë, janë regjistruar rreth 23 mijë e 700 kandidatë, përfshirë 10 të pavarur.