Ka kaluar rreth një javë nga deklarata me tone kërcënuese e kryeministrit grek Aleksis Tsipras ndaj Shqipërisë, sa i përket pronave të minoritetit grek që jetojnë në Himarë.
Duke iu referuar një informacioni, sipas të cilit qeveria shqiptare ka konfiskuar prona të minoritetit grek në Himarë përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare, kreu i qeverisë greke tregoi se Shqipëria mund të përballet me sanksione, madje shteti helen mund të bllokojë procesin integrues.
“Kohët e fundit po shikojmë zhvillime që nuk na pëlqejnë. Sot mësova që ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek. Nëse është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ. Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane. Nëse informacioni që kemi është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim. Shpresoj të jem i gabuar. Sepse dëshira e të gjithëve është që hapat drejt perspektivës evropiane të bëhen realitet. Por, ne çdo shtet e shikojmë veç e veç”, tha ai.
Por duket se nga pala shqiptare Edi Rama ka nxituar të ulë gjakrat, duke telefonuar homologun e tij grek.
Sipas mediave në Athinë, dy kryeministrat kanë diskutuar për reformat e domosdoshme të Shqipërisë për të nisur rrugën e integrimit në BE.
Mësohet se Tsipras është ndalur gjatë në çështjen e pronave në detin Jon si dhe në legjislaturën përkatëse për minoritarët.
Gjithashtu, u diskutuan marrëdhëniet bilaterale ekonomike dhe zhvillimet e fundit në rajonin ballkanik.