Menjëherë pas publikimit të një lajmi në faqen zyrtare të UEFA-s se inspektorët e disiplinës të këtij institucioni që po hetonin mbi çështjen e fiksimit të ndeshjeve nga ana e Skdënderbeut kishin marrë kërcënime anonime me vdekje, ka reaguar edhe klubi korçar.
“Sot, Inspektorët disiplinorë të UEFA-s që po punojnë mbi këtë çështje kanë marrë kërcënime anonime me vdekje, në dukje me qëllim trembjen e tyre dhe ndalimin e kryerjes së detyrës. Këto kërcënime nuk do t’ia arrijnë qëllimit dhe policia po ashtu është lajmëruar”, tha UEFA në uebsajtin e saj.
“Duke marrë shkas nga lajmi i publikuar së fundmi në portalin e UEFA-s, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ mohon kategorikisht dyshimet dhe akuzat se persona të lidhur me klubin kanë kërcënuar me jetë inspektorët e organizatës europiane të futbollit”, tha Skënderbeu në një njoftim për media.
“Një veprim i tillë është totalisht jashtë natyrës së qetë, qytetare dhe ‘Fair-Play’ të klubit tonë dhe drejtuesve më të lartë të ekipit. Nëse ka pasur kërcënime atëherë KF Skënderbeu inkurajon organet përkatëse ti shkojnë deri në fund çështjes”, tha Skënderbeu.
Ndërsa, përsa i përket shqetësimit të shfaqur nga UEFA në lidhje me publikimin e informacioneve dhe raporteve, Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ mohon të ketë shperndarë raportin duke njohur natyrën konfidenciale të tij.
“Raportet e shfaqura në media kanë dalë nga zyrat e UEFA-s për media të caktuara sportive në Shqipëri.”