Politika Kërkesa e Erdoganit për gylenistët, Rama: Nuk i kemi asnjë borxh presidentit...

Kërkesa e Erdoganit për gylenistët, Rama: Nuk i kemi asnjë borxh presidentit turk

Kryeministri Edi Rama është pyetur sot nga gazetarët lidhur me deklaratat e presidentit të Turqisë Erdogan lidhur me ultimatumin që i la për largimin e përfaqësuesve të FETO-s nga Shqipëria.

Rama u shpreh se vendi ynë nuk i ka asnjë borxh Presidentit të Turqisë pasi sipas tij mes miqve dhe vëllezërve nuk ka borxhe.

“Ne nuk i kemi asnjë borxh, Presidentit të Turqisë, ashtu sikundër Presidenti i Turqisë nuk na ka neve asnjë borxh. Sepse mes miqsh dhe me një miqësi vëllazërore nuk ka borxhe”, tha Rama duke e lënë kështu të paqartë se çfarë vendimi do të marrë lidhur me çështjen e gylenistëve.

“Nuk iu përgjigjët pyetjes, pra nuk do të merrni masa për gylenistët në Shqipëri?” u pyet sërish Rama. Kryeministri shtoi: “Problemi yt është që ti kërkon edhe pyetjen edhe përgjigjen siç e do ti. Pyetjen e ke ti, përgjigjen e kam unë.”

Gjatë vizitës në Shqipëri, Erdogan përsëriti dy herë rrezikun e organizatës së klerikut Fetullah Gulen për Shqipërinë. Ai tha se Turqia ndihet e lënduar që anëtarë të saj gjejnë vend në Shqipëri, dhe kërkoi të merren masa ndaj tyre për të shmangur përsëritjen e një grushti shteti – si ai që ndodhi në Turqi në vitin 2015 – edhe në vendin tonë.