Në konferencën e sotme për mediat, kryedemokrati Sali Berisha nuk la pa komentuar mesazhin e djeshëm të kryeministrit Edi Rama për qytetarët.
Teksa e cilësoi një “rrëfim hallesh personale”, vijoi me akuzat ndaj Olsi Ramës sa i takon çështjes “Xibraka”.
“Makina e famshme e krerëve të grupit të Xibrakës, këtu keni fotografinë e kompjuterit. Tregon disa nga rastet e përdorimit të kësaj makine për udhëtime jashtë shteti. Pas Gentian Gjonajt, iu them unë se trafikanti Olsi Rama është udhëtari më i shpeshtë me këtë makinë.”
Ai madje deklaroi se për Ramën “ka lajme të reja”, duke theksuar se vëllai i tij do të përballet me procese të tjera gjyqësore.
“Sa del dhe bën be të rreme para qytetarëve të ngopur me gënjeshtrat tua, thuaj pse e ka përdorur kaq shumë herë makinën e Xibrakës?! Përveç kësaj, i them zotit Rama që del dhe mendon se shqiptarët hallet e tij kanë, BKH ka njoftuar se në datën 7 Dhjetor 2024 është protokolluar një letër e nënshkruar nga Zaho Koka, dërgues anonim. Letra ka informacion për Olsi Ramën, kishte një foto të qartë e tij në një qytet europian. Informacion edhe për rrëmbimin e një biznesmeni në Dhjetor të 2015-ës. Letra iu dha për verifikim OPGJ-së në datë 9 Dhjetor 2024. Më 11 Dhjetor, ky OPGJ që qenka djalë, u thirr nga drejtuesja famoze. Spiune e çmendur e Edi Ramës në BKH dhe iu komunikua ndërprerja e veprimeve të mëtejshme. Mos dil t’ua nxish të Dielën qytetarëve!”
I pyetur se a ekziston mundësia për një “Babale 2”, referuar rastit të ish-deputetit Ervin Salianji, Berisha u përgjigj kështu:
“Historia e dëshmitarëve të rremë është historia e konsoliduar në disa raste. Rama mendon se do montojë si me Salianjin një kallëzim të rremë, por kësaj here është në qark. Sepse Olsi…ka hetime të tjera mbi të. Do kesh lajme, i thashë unë. Ata që ligji i njeh për kriminelë, Rama i njeh si çuna. Çunat e Londrës e Meksikës! Ai e pohon se ka bisedat më të shumta me politikanë me këto Encrochat dhe Sky ECC. Kam biseduar me çuna thotë, ai nuk e konsideron krim drogën! Këtu është dallimi esencial mes meje dhe atij. Droga është para thotë.”
Kujtojmë se ishte deputeti demokrat Gazment Bardhi i cili i kërkoi SPAK vitin e shkuar të hetojë Olsi Ramën lidhur me laboratorin e drogës. Pas veprimeve hetimore, Prokuroria e Posaçme tha përmes një njoftimi zyrtar të premten se “Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me këtë aktivitet kriminal”. Ky vendim u pasua me reagimin e Bardhit, i cili nuk hezitoi t’i quajë prokurorët e SPAK “të intimiduar e kërcënuar nga pushteti”.
Të dielën, numri një i qeverisë ai që në mënyrë kronologjike rreshtoi të gjitha shpifjet që janë bërë ndaj tij e familjarëve ndër vite. Rama theksoi se “vëllai i tij u bë mish për top, për ta goditur atë”.