Në Shqipëri janë asgjësuar 2.56 milionë rrënjë kanabis në 2016-n, që përkon me vitin kur kultivimi i bimës së ndaluar u bë masiv, sipas një raportit vjetor të Drogave 2018, të publikuara së fundmi nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet (UNODC).
Në 2017-n, kultivimi ra dhe në Shqipëri u asgjësuan 67 mijë bimë. Pra në total në dy vjet u asgjësuan rreth 2.6 milionë rrënjë kanabis. Për 2016-n, sipas të dhënave të UNODC, Shqipëria renditet e dhjeta në botë për nga sasia e kanabisit të asgjësuar për 2016-2017, ku rekordin e mbajnë Paraguai dhe Filipinet, përkatësisht 36.5 dhe 26.4 milionë rrënjë të asgjësuara.
Raporti përdor një sërë treguesish për të identifikuar se ku ka të ngjarë të ketë kultivim dhe prodhim kanabisi si hektarët e kanabisit të asgjësuar, numri i bimëve të asgjësuara dhe origjina e kanabisit të asgjësuar.
Shqipëria identifikohet nga UNOIDC si prodhuesi më i madh i kanabisit në Europën Juglindore për periudhën 2010-2017 dhe një nga tre shtetet që është përmendur më shumë në raportet e viteve të fundit për tranzitimin dhe kapjen e kanabisit, së bashku me Holandën dhe Spanjën.
Bazuar në të dhënat e rrënjëve të asgjësuara, “Monitor” ka bërë një vlerësim për të ardhurat që mund të jenë gjeneruar nga kultivimi i narkotikëve.
Vlerësimet janë se është asgjësuar minimalisht më pak se gjysma e prodhimit, rreth 40-45% e tij. Pra minimalisht janë rreth 3.2 milionë rrënjë të prodhuara që janë hedhur në treg ose dhe mund të kenë mbetur stok në magazina.
Burimet nga tregu shpjegojnë se, rendimenti minimal i bimës që ka periudhë kultivimi 6-mujore është 1 kilogram për një rrënjë me një çmim mesatar (përfshirë kostot e prodhimit, përpunimit, magazinimit, transportit) në pjesën shqiptare është minimalisht 700 euro/kg, (çmimi ra për shkak të zhvlerësimit të bimës nga superprodhimi).
Si rrjedhojë, kalkulimet, për 3.2 milionë rrënje, me një ardhur mesatare në anën shqiptare prej 700 euro/kg sugjerojnë se vlera e 3.2 milionë rrënjëve që i kanë shpëtuar asgjësimit për periudhën 2016-2017 është rreth 2.2 miliardë euro, një shifër kjo që është gati sa 20% e prodhimit të brendshëm bruto të vendit.
Kanalet si paratë informale hynë në ekonomi e politikë
Dy kanalet, ku ishte më e dukshme hyrja e parave informale ishin tek kursi i këmbimit dhe te ndërtimi.
Nga mesi i vitit 2016, pasi kishte pasur stabilitet rreth 138-140 lekë për pesë vite radhazi, euro filloi nënçmimin e pandalshëm, duke zbritur në 135 lekë në fund të 2016-s. Kjo periudhë përkon dhe me kthimin e Shqipërisë në një qendër të kultivimit të kanabisit, që shtoi ofertën për valutë në vend. Rënia vijoi dhe në vitet në vijim dhe aktualisht euro luhatet në rreth 122 lekë (shiko grafikun), në një kohë që deficiti i llogarisë korente (që mat hyrje daljet zyrtare të valutës) nuk ka shënuar një përmirësim aq të madh sa të justifikojë këtë mbiçmim të monedhës vendase.
Lidhja më e dukshme e përdorimit të parave informale në periudha elektorale ishte kur në datën 27 qershor 2017, dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme euro u këmbye me 131.98 lekë, më e ulëta që nga gushti i vitit 2009, nga 134.87 lekë që këmbehej në 19 maj, kur filloi zyrtarisht fushata, duke treguar për këmbime të larta valutore përgjatë fundjavës së zgjedhjeve.
Kanali i dytë është ai i ndërtimeve masive. Dy vitet e fundit, lejet e ndërtimit kanë shënuar rritje të dukshme, sidomos në kryeqytet. Sipas INSTAT, për të gjithë vitin 2018 janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80% (shih grafikun). Vetëm në tremujorin e katërt janë dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 456 mijë metra katrorë, ose 70% e sipërfaqes së dhënë gjithsej në vend për leje ndërtimi për këtë periudhë. Ritmi i lartë i tremujorit të katërt 2018 vijoi dhe në janar-mars të këtij viti.
Vetëm në 2018-n janë dhënë në kryeqytet 388 leje, për një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 940 mijë metra katrorë, me një rritje prej 80% në raport me vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Kësaj sipërfaqeje i korrespondon një vlerë investimi prej të paktën 350 milionë euro në një vit (e matur indirekt me dy mënyra, me një kosto ndërtimi rreth 350-400 euro/m² dhe bazuar në pritshmëritë për mbledhjen e taksës së infrastrukturës nga Bashkia).
Monitor ka përllogaritur më parë se ekonomia shqiptare, e cila zyrtarisht, sipas Anketës Strukturore të INSTAT deklaron fitime vjetore prej rreth 1.2 miliardë eurosh në të gjithë sektorët, nga e cila 188 milionë euro vijnë nga ndërtimi, nuk ka kapacitete që të gjenerojë likuiditete për projekte kaq të mëdha në fushën rezidenciale, ndërkohë që dhe bankat janë të tërhequra nga financimi i ndërtimit.
Të dhëna të tjera sugjerojnë se pas 2017-n, me rënien e kultivimit të kanabisit, këto para janë investuar dhe në droga më të forta si kokainë dhe heroinë, teksa në shkurt të vitit të e kaluar u kapën 613 kg kokainë në Durrës dhe u zbulua po atë vit një laborator heroine në Has.
Këtë vit kanë vijuar kapjet e ngarkesave me kokainë në Maltë, të nisur nga Kolumbia me destinacion final Shqipërinë. Në fakt, të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se vitet e fundit janë rritur ndjeshëm importet, fillimisht të bananeve dhe më pas të paletave të drurit nga Kolumbia, një shtet me të cilin nuk kishim pothuajse asnjë marrëdhënie tregtare deri në vitin 2016 dhe që njihet si një qendër botërore e prodhimit të drogave të forta. Shifrat e INSTAT tregojnë se në tre muajt e para të këtij viti, nga Kolumbia u importuan në Shqipëri mallra me vlerë 670 milionë lekë, me një rritje prej rreth 60% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Burimi: Monitor