Kryesore KFOR: Po monitorojmë nga afër situatën, nëse na kërkohet jemi të gatshëm...

KFOR: Po monitorojmë nga afër situatën, nëse na kërkohet jemi të gatshëm të ndërhyjmë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka njoftuar se është duke e monitoruar nga afër situatën në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Përmes një komunikate për media, KFOR-i, ka thënë se janë të pranishëm në këtë zonë dhe të gatshëm për t’iu përgjigjur situatës, nëse kërkohet.

KFOR-i ka deklaruar se Policia e Kosovës, si reaguese e parë, ka përgjegjësinë parësore për menaxhimin e incidentit në terren.

“Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në njoftim.

KFOR gjithashtu ka thënë se e dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe dërgon ngushëllimet më të thella për familjen e policit të vrarë sot në orët e para të mëngjesit në Banjskë.