Kryesore Policia e Kosovës konfirmon se një pjesëtar i grupit kriminal është vrarë...

Policia e Kosovës konfirmon se një pjesëtar i grupit kriminal është vrarë në veri

Njëri nga 30 pjesëtarët e bandave të armatosura në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – është vrarë pas kundërpërgjigjes së Policisë së Kosovës ndaj sulmeve me armë zjarri ndaj forcave policore në terren.

“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”, njofton Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka thënë se situata në pjesën veriore të vendit po vazhdon të jetë e tensionuar, derisa grupet kriminale atje kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore, në dhe përreth Manastirit të Banjskës.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet se për shkaqe sigurie, janë mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), andaj Policia e Kosovës fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim dhe të shmangin lëvizjet e tyre në atë rajon.