Për shkak të tensioneve serioze kombëtare dhe ndërkombëtare që prekin Iranin, lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, e drejtoi sot vetë faljen e madhe të së premtes në vendin e tij. Përpara një turme të jashtëzakonshme njerëzish, Khamenei iu drejtua protestuesve që në protestat e fundit në vend grisën posterat e gjeneralin Qaseem Soleimani.
“Ato kllounë që pretendojnë se janë pas popullit janë gënjeshtarë. Ata manipulohen nga armiqtë dhe nuk i kanë kushtuar jetën e tyre sigurisë së Iranit, siç kanë bërë dhe bëjnë njerëzit si Soleimani“, tha ai.
“Në dy javët e kaluara ka pasur ditë të hidhura dhe të ëmbla, një pikë kthese në histori. Dy ngjarjet e mëdha ishin funerali i gjeneralit Qassem Soleimani dhe dita kur Irani sulmoi bazat amerikane. Ishin ‘Ditët e Allahut’. Këto dy momente, mrekulli të duarve të Allahut, treguan fuqinë e një kombi që i dha një shpullë fytyrës SHBA-ve dhe se vullneti i Allahut është që të vazhdojë udhëtimin dhe të arrijë fitoren”, shtoi Khamenei.
Ai u ndal te figura e gjeneralit Khamenei. “Ai ishte një komandant antiterror në rajon. Vrasja e tij është turpi i SHBA-ve, sepse e vranë në mënyrë të pabesë dhe nuk ia dolën ta bënin në fushën e betejës, duke përdorur të njëjtën metodë si regjimi sionist”, tha ai duke shtuar se “tragjedia e hidhur” e rrëzimit të avionit të Ukrainës në Teheran “nuk duhet të errësojë sakrificën e Soleimani”.
Sa i përket arsenalit bërthamor, Kahmenei u shpreh mosbesues në dialogun me Perëndimin. “Unë thashë që në fillim se nuk kam besim në dialogun me Perëndimin për aktivitetet tona bërthamore dhe te zotërinjtë që ulen në tryezat e bisedimeve me doreza mëndafshi në duart e tyre të hekurta. Dialogu me ta është një mashtrim”, tha ai.
Khamenei i mbylli derën çdo negociate për arsenalin bërthamor, ndërsa e akuzoi presidentin amerikan Donald Trump se është një “kllun” dhe se Shtetet e Bashkuara janë një “fuqi arrogante” dhe “terroriste”.
Në të kaluarën, Khamenei e ka drejtuar faljen e së premtes vetëm në momente krize. Ai e ka bërë në vitin 2009, në kohën kur nisën protestat kundër rizgjedhjes së Mahmoud Ahmadinejad në postin e presidentit; dhe më pas në vitin 2011 për “Pranverën Arabe”. Hera e fundit që Khamenei predikon në faljen e së premtes ishte shkurti 2012, sërish në kohë protestash, të cilat në atë kohë u përhapën në të gjithë Lindjen e Mesme.