Bota Kievi do sulmohet pas rrethimit. Raporti: Ushtria ruse po performon keq në...

Kievi do sulmohet pas rrethimit. Raporti: Ushtria ruse po performon keq në Ukrainë

Instituti për Studimin e Luftës ka publikuar të enjten një analizë të detajuar për luftën në Ukrainë. Në raport vihet në dukje fakti se trupat ruse kanë vijuar për të disatën ditë përpjekjet e pasuksesshme për të rrethuar kryeqytetin Kiev dhe kapjen e Kharkivit.

Një ndër arsyet e kësaj vonese është edhe zgjidhja taktike që po zbatohet.

“Komandantët rusë duket se preferojnë hapjen e linjave të reja për operacione në shkallë regjimenti, por nuk kanë mundur të arrijnë sinergji domethënëse në përpjekjet e bëra në disa drejtim drejt të njëjtave objektiva”, shkruhet në raport.

Në të njëjtin dokument thuhet se dështime të këtij niveli që bëjnë pjesë në leksionet bazë të artit operacional në shkollat ushtarake ruse, mbeten të pashpjegueshme.

“Ushtria konvencionale ruse vijon të performojë poshtë standardit dhe keq…Të dhëna se Rusia që po mobilizon përforcime nga Oqeani Paqësor janë shqetësuese në këtë drejtim”, shkruajnë autorët, sipas të cilëve Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ruse është bindur se arritja e objektivave të fushatës nuk mund të bëhet me kaq trupa. Nëse kjo provohet si e vërtetë, atëherë jemi para një skenari, kur një shtab i tërë ka dështuar në planifikimin e parë në shkallë masive që nga lufta në Afganistan.

Në plan të përgjithshëm, Kievi është synimi qendror, mbështetur nga tre drejtime: kapja e Kharkivit, Mariupolit dhe kapja e Khersonit që hap rrugën për në Odesa.

E gjithë kjo situatë aspak e pëlqyeshme dhe që rrezikon të shndërrohet në poshtëruese, është shoqëruar me hapa ligjorë në Rusi. Parlamenti rus votoi unanimisht ligjin që ndëshkon me “15 vjet burg këdo që përhap informacione të rremë mbi sulmet e ushtrisë”.

Në ditët e fundit, media ikonë si stacioni radiofonik “Jehona e Moskës” mbylli dyert. Ai ishte organi mediatik më kritik në Rusi, ndërkohë që autoritetet ruse po përpiqen të kufizojnë përdorimin prej rusëve të mediave sociale.

Situata priret të ndërlikohet nga fakti se ndonëse ligjërisht NATO dhe Rusia nuk janë në luftë, faktikisht lufta po vazhdon. Armatimet që po i dërgohen Ukrainës janë të konsiderueshme: Spanja ka dërguar 1 300 armë antitanke dhe 700 000 njësi municioni si dërgesë të parë.

Norvegjia ka dërguar 2000 armë antitanke, M72, Kanadaja premton dërgimin e 4 500 M72 dhe 75000 granata dore, ndërkohë që SHBA aprovoi 10 miliardë dollar ndihmë për Ukrainën.