Aktualitet Lulzim Berisha plotëson formularin brenda afatit

Lulzim Berisha plotëson formularin brenda afatit

Një ditë pasi Operacioni Forca e Ligjit i kërkoi me shkrim Lulzim Berishës ku i kërkonte të justifikonte pasuritë, zbardhet dokumenti i lëshuar nga Kadastra e qytetit të Durrësit.

Berisha ka siguruar një dokument ku vërtetohet se ai nuk ka asnjë pronë të paluajtshme në emër të tij.

Një ditë më parë, avokati i tij tha se ai zotëronte një karburant dhe një bar-kafe të dhënë me qira. Ndërsa pasuritë e tjera i ishin sekuestruar nga gjykata.

Për Lulzim Berishën, struktura e OFL-së thotë se në 2016 u dënua me burgim përjetë për disa vepra penale, grup të strukturuar, trafik droge dhe pastrim parash, por në 2016 Apeli i Durrësit e liroi me kusht.

Tashmë Operacioni Forca e Ligjit të gjitha dokumentet e mbledhura pritet t’ia dorëzojë SPAK-ut, ku brenda 15 ditëve duhet të shqyrtojë kërkesën dhe t’ia dërgojë gjykatës, e cila ka gjithashtu 15 ditë kohë për të marrë vendim nëse duhet dhënë ose jo masë sekuestroje për pasuritë e Lulzim Berishës, i cilësuar si ish-kreu i bandës së Durrësit.

Sipas aktit normativ anti-KÇK, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin ose jo përfundimtar të tyre.