Autoritetet kineze janë shprehur se për të dytën ditë nuk është regjistruar asnjë infeksion i ri brenda vendit qëkur shpërtheu kriza me koronavirusin.
Megjithatë, zyrtarët janë shprehur se janë shënuar 39 raste të reja. Pekini thotë se këto raste janë importuar nga vendet e tjera. Sipas autoriteteve personat e kanë marrë virusin jashtë Kinës dhe kanë rezultuar pozitivë sapo kanë hyrë në kufijtë e vendit aziatik.
Edhe numri i të vdekurve është ulur në mënyrë drastike në Kinë. Ditën e fundit janë shënuar vetëm 3 viktima, duke e çuar në total numrin e të vdekurve në 3248.
“Por ka pasur akuza të vazhdueshme se nuk duhen besuar këto shifra zyrtare”, shkruan BBC.
Pekini e ka përqendruar vëmendjen tashmë nga shkëputja e transmetimit të infeksionit në nivel lokal tek ndalimi së futuri i koronavirusit nga vendet e tjera të huaja.
Kina thotë që rënia drastike e rasteve është për shkak të masave drastike të izolimit, ku qytete të tëra dhe provinca u vendosën ën karantinë.
“Nëse virusi rifutet në vend, me shumë mundësi Pekini ka për të fajësuar vendet e tjera që dështuan të pengojnë zhvillimin e COVID-19”, thotë BBC.