Shëndet “Kini durim, së bashku do ia dalim”/ Pipero: Respektoni tre fjalë magjike

“Kini durim, së bashku do ia dalim”/ Pipero: Respektoni tre fjalë magjike

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero shprehet se, paniku është aleati më i mirë i koronavirusit.

Sipas tij, ky virus ka frikë vetëm kujdesin, vëmendjen, maksimalizimin e kapaciteteve, mbështetjen e bluzave të bardha e sidomos disiplinën.

Pipero thotë se nuk kemi fshehur asgjë por se së bashku do ia dalim. Ndaj ai këshillon kufizim të lëvizjeve, takimeve, vizitave dhe të lajmë duart.

“Sot nuk është një ditë ndryshe! Sot për të gjithë ne nuk është një ditë ndryshe, ajo filloi ditë më parë, filloi ditën që në vendin tonë u konfirmua rasti i parë me koronavirus. Ishte apo nuk ishte i pari kjo ka pak rëndësi, e rëndësishme është që atë e kemi tek ne si kudo tjetër në Europë dhe në botë! Dëgjoj shumë pyetje që fillojnë me PSE! Mos pyesni ju lutem Pse?? Duhet së bashku të veprojmë sot, dhe të vazhdojmë nesër, nesër e më tutje, deri sa ta mundim këtë epidemi. Së bashku po, së bashku ja dalim!”, thekson Pipero.

“Sot shumë kush nga ju ka pyetur, çfarë ndodhi mbrëmë, çfarë ndodhi natën, çfarë do të ndodhë sot? E drejtë! Njerëzore është ! Mes nesh ka frikë, por nuk duhet të ketë kurrë panik. Paniku është aleati më i mirë i këtij virusi. Ky virus ka frikë vetëm kujdesin, vëmendjen, maksimalizimin e kapaciteteve, mbështetjen e bluzave të bardha! E sidomos disiplinën! Sot ju keni shumë pyetje, dhe keni shumë të drejtë. Ne kemi folur çdo ditë me ju, jua kemi thënë të gjitha besoj! Nuk e di sa na keni kuptuar, nuk e di sa jua kemi shpjeguar, nuk e di a na keni dëgjuar të gjithë, POR na besoni, nuk ju kemi fshehur asgjë! Natyrisht rastet janë shtuar dhe do shtohen, është vetëm fillimi, por mos u trembni nga shifrat, ato ju shërbejnë statistikave, epidemitë kanë ligjësitë e tyre, ne duhet të dimë t’i përballojmë dhe të zvogëlojmë dëmin!’, shton Pipero.

“Mos na paragjykoni sot ju lutem, as ne bluzat e bardha dhe as institucionet tona, kini durim, së bashku do ja dalim. Ka kohë për të na gjykuar! Sot nuk është një ditë ndryshe, edhe pse ndryshon shumë nga dje, dhe ju vazhdoni të keni shumë pyetje, për të cilat unë kam vetëm një përgjigje: Kufizoni lëvizjet, kufizoni takimet, kufizoni vizitat dhe respektoni tre fjalë magjike, vetëm tre: Lani. Duart. Tuaja!, shton Pipero.