Bota Kisha Katolike Polake zbulon qindra raste të reja të abuzimeve seksuale me...

Kisha Katolike Polake zbulon qindra raste të reja të abuzimeve seksuale me të mitur

Të hënën, janë zbuluar qindra raste të abuzimeve seksuale me të mitur kryer nga klerikë të Kishës Katolike së Polonisë.

Sipas një raporti, 369 raste abuzimesh të kryera nga 1958 deri në 2020 janë raportuar nga korriku i 2018 deri në fund të vitit të shkuar.

Raporti vjen në një kohë kur një sërë figurash të larta kishtare janë vënë përballë akuzave për abuzime me të mitur si dhe janë përpjekur për t’i fshehur ato.

Sipas kishës, 39 për qind e denoncimeve kanë rezultuar të vërteta, ndërsa hetimet vijojnë për 50 për qind të rasteve të mbetura.

Dhjetë për qind e denoncimeve janë hedhur poshtë për mungesë besueshmërie.

Gjatë një konference virtuale në Varshavë, kreu Kishës Katolike, Kryepeshkopi Wojciech Polak, u kërkoi viktimave ndjesë, gjë të cilën e ka bërë dhe më parë.

“Ajo çka shihet qartësisht është se kemi një valë raportimesh në shifra të larta që nga koha e raportit të parë të botuar në mars 2019”, tha Imzot Adam Zak, i cili ka marrë përsipër detyrën për të gjurmuar dhe parandaluar abuzime të tilla.

Raporti i parë i kishës për vitet 1990-2018, listonte plot 382 raste klerikësh që pretendohet se kishin abuzuar me 625 të mitur.

Ndërsa, raporti aktual reflekton akuza të reja që janë bërë që prej asaj kohe.

42 prej klerikëve përmenden edhe në raportin e mëparshëm, deklaruan disa zyrtarë të kishës.

Një numër i madh akuzash për abuzime seksuale ka turbulluar Kishën polake gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas shfaqjes së dokumentarit “Mos i Trego Askujt” (Tell No One) nga gazetari Tomasz Sekielski.