Aktualitet Kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu, vritet Martin Bardhi në...

Kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu, vritet Martin Bardhi në Rrëshen. Dyshohet hakmarrja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj e të marte, në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit. Martin Bardhi, 58 vjeç u qëllua për vdekje në rrethana ende të paqarta.

Dyshimet e para janë se vrasja ka ardhur për shkaqe hakmarrje. Kjo për shkak të konflikteve me fisit Bardhi dhe Reçi.

“Rreth orës 10:40, në Rrëshen, nga shtetas ende të paidentifikuar, është vrarë me armë zjarri shtetasi M. M. (B.). Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve“, tha policia në një njoftim paraprak për mediat.

Viktima raportohet se kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu.

Martin Bardhi u arrestua në muajin mars të këtij viti si një nga autorët e të shtënave me armë në drejtim të makinës së Saimir Reçit në Rrëshen. Kjo ngjarje ndodhi më 26 mars dhe të përfshirë ishin edhe djali i Martin Mardhit, Erind Bardhi dhe një 28-vjeçar tjetër me lidhje gjaku me familjen Bardhi.

Shkak për këtë ngjarje të rëndë u bë një sherr për vendin e parkimit mes Erind Bardhit dhe Saimir Reçit. Erind Bardhi shkoi më pas në banesën e tij së bashku me të atin, viktimën e ditës së sotme, ku mori armën e zjarrit dhe qëlloi mbi makinën e blinduar të Reçit në momentin që ai po largohej. Reçi si pasojë e të shtënave humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës, por nuk u lëndua.

Për këtë ngjarje, Erind Bardhi dhe kushëriri i tij 28-vjeçar u shpallën në kërkim për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i ekzekutuar në qendër të Rrëshenit në vitin 2020.