Kulturë Kit Harington zbulon pse nuk do të pranojë të luajë më kurrë...

Kit Harington zbulon pse nuk do të pranojë të luajë më kurrë një rol si Jon Snow

Kit Harington, i cili së fundmi u pa në rolin e agjentit të pasurive të patundshme në “Criminal” në Netflix, u shpreh se nuk do të luajë më role “heroike” të cilat janë stereotipe të kohërave të vjetra.

“Ndjej që burrat emocionalisht kanë një problem, një bllokim që ka ardhur që nga Lufta e Dytë Botërore, ka kaluar te gjyshërit, te babai dhe pastaj te djemtë. Ne nuk flasim për mënyrën si ndihemi, sepse tregon dobësi, sepse nuk është mashkullore. Duke portretizuar një njeri të heshtur, i cili nga ana tjetër ishte edhe karakter heroik, mendoj se jam kthyer mbrapsht dhe është një rol të cilin nuk dua ta luaj më. Është një rol mashkullor të cilin bota s’duhet ta shohë më”, tha ai në një intervistë për The Telegraph.

Megjithatë, padyshim që roli në “Game of Thrones” shërbeu si moment i jashtëzakonshëm në karrierën e tij. Por, ndonëse mirënjohës për gjithë çfarë i fali seriali i HBO-së, Harington ka qenë i hapur për faktin se vëmendja e tepër nuk ndikoi aspak mirë të ai. Problemet e para nisën pas sezonit të pestë në vitin 2015, kur Jon Snow (Kit Harington në GoT) u vra.

“Ishte një nga periudhat më të errëta të jetës sime. Papritur ti bëhesh qendra e vëmendjes në serial. Është çorientuese, e çuditshme dhe e dëmshme në shumë mënyra”, u shpreh ai në një intervistë për Emmy Magazine në mars të 2015-s.

Më tej, aktori theksoi se kishte përjetuar shumë stres dhe presion nga ndjekësit, familjarët dhe miqtë, të cilët e pyesnin nëse “ishte apo jo gjallë personazhi i tij”. Kit-it i ishte ndaluar rreptësisht të tregonte se çfarë do të ndodhte.

Në intervista të tjera, Harington është shprehur vazhdimisht se Game of Thrones ishte e gjithë jeta e tij dhe nuk beson se mund të marrë pjesë në diçka më të madhe se vetë GoT. “E nisa 22 dhe përfundova 32. Është gjithë jeta ime aty”. Nëse një pjesë e mirë e aktorëve e nisin karrierën me projekte modeste dhe përfundojnë në seriale/filma të famshëm që rrëmbejnë çmime Oscars dhe Emmy, Kit e nisi menjëherë me një projekt që u bë i bujshëm.